Lajme Zone
Dikur tifozët, sot lojtarët, Vllaznia duket se ka mbetur me biçikletë…
SportTop Channel

Dikur tifozët, sot lojtarët, Vllaznia duket se ka mbetur me biçikletë…

Nga Endi TUFA

Nga Endi TUFA Ka kohë që Shkodra u ka mësuar shqiptarëve se biçikleta nuk është thjesht një mjet transporti, por pjesë e identitetit të qytetit. Por askush nuk do ta kishte menduar se një ditë, në vend të tifozëve që udhëtonin me biçikleta drejt kryeqytetit për të ndjekur Vllazninë, do të ishin vetë futbollistët ata që do të duhej t’i jepnin pedaleve. Jo për të shkuar në stadium, por për të gjetur rrugën e duhur, atë që meriton një klub me historinë e Vllaznisë.

Ironia është e hidhur, sepse Vllaznia nuk është një skuadër dosido. I themeluar më 16 shkurt 1919, klubi shkodran është një nga emrat që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar, me nëntë tituj kampionë dhe një traditë që kapërcen kufijtë e fushës së lojës. Është krenaria e një qyteti që e ka jetuar futbollin si pjesë të kulturës së tij dhe që ka udhëtuar drejt Tiranës për të mbështetur ekipin, edhe kur rruga ishte e gjatë dhe mundësitë të pakta. Sot, paradoksi është se tifozët mund të kenë më shumë arsye për të pedaluar sesa vetë klubi për të ecur përpara.

Për vite me radhë, tifozët shkodranë që mbërrinin me biçikleta në kryeqytet për të ndjekur Vllazninë ishin një nga ato pamje që të mbeteshin në mendje. Një dëshmi e pasionit, e përkushtimit dhe e lidhjes së veçantë mes qytetit dhe skuadrës. Ata udhëtonin për të parë futboll, për të mbështetur ngjyrat kuqeblu dhe për të treguar se distanca nuk ishte pengesë kur bëhej fjalë për Vllazninë.

Sot, në një kthesë ironike të historisë, rolet duket se janë përmbysur. Pas raportimeve për katër deri në pesë muaj paga të prapambetura dhe bojkotin e stërvitjeve nga pjesa më e madhe e ekipit, pyetja nuk është më se si do të mbërrijnë tifozët në stadium, por si do të mbërrijë vetë Vllaznia te normaliteti. Nëse dikur biçikletat simbolizonin pasionin e tifozëve, sot ato mund të kthehen në metaforën e një klubi që nuk po arrin të ecë me ritmin e historisë së vet.

Sigurisht, kjo nuk është një tallje me futbollistët. Përkundrazi, një profesionist që punon dhe nuk paguhet nuk mund të mbahet pafundësisht me fjalë, premtime apo vetëm me dashurinë për fanellën. Përkushtimi ka vlerë, por faturat nuk paguhen me krenari dhe karriera nuk ndërtohet vetëm mbi sakrifica. Nëse pretendimet për pagat e papaguara konfirmohen, protesta e lojtarëve është një sinjal alarmi që drejtuesit nuk mund ta trajtojnë si një problem të zakonshëm të dhomës së zhveshjes.

Edi Martini u largua pas rezultateve negative, ndërsa në diskutimet rreth situatës së skuadrës është ngritur edhe çështja e motivimit dhe e ndikimit që problemet financiare mund të kenë pasur te performanca e futbollistëve. Ky është një element që duhet analizuar me kujdes: mungesa e stabilitetit financiar mund të ndikojë te përqendrimi, atmosfera dhe besimi, por nuk mund të shërbejë automatikisht si shpjegim për çdo humbje.

Ndërrimi i trajnerit mund të jetë një mënyrë për të kërkuar reagim sportiv, por nuk është ilaç për një krizë që nis jashtë fushës. Një trajner i ri mund të ndryshojë skemat, të ndërrojë formacionin dhe të kërkojë më shumë intensitet, por nuk mund të zhbëjë muajt e pagave të prapambetura dhe pasigurinë që shoqëron një skuadër në këto kushte.

Biçikletat mund të jenë simbol i qytetit, por nuk duhet të bëhen simbol i mënyrës se si menaxhohet klubi. Sepse një gjë është të pedalosh për të mbështetur Vllazninë dhe krejt tjetër të të duhet të pedalosh për ta mbajtur atë në këmbë. Top Channel