Lajme Zone
Diferencë e ngushtë votash dhe reagime të forta jashtë Parlamentit, deputetët britanikë rrëzojnë projektligjin për vdekjen e asistuar
BotëTop Channel

Diferencë e ngushtë votash dhe reagime të forta jashtë Parlamentit, deputetët britanikë rrëzojnë projektligjin për vdekjen e asistuar

Dhoma e Komunave në Britani ka votuar kundër legalizimit të vdekjes së asistuar në Angli dhe Uells, duke i dhënë fund përpjekjes së fundit për ndryshimin e ligjit. Projektligji u rrëzua me 286 vota kundër dhe 270 pro, një diferencë prej 16 votash.

Dhoma e Komunave në Britani ka votuar kundër legalizimit të vdekjes së asistuar në Angli dhe Uells, duke i dhënë fund përpjekjes së fundit për ndryshimin e ligjit. Projektligji u rrëzua me 286 vota kundër dhe 270 pro, një diferencë prej 16 votash. Projektligji për të Rriturit me Sëmundje Terminale (Fundi i Jetës) parashikonte që të rriturit me një jetëgjatësi të pritshme prej më pak se gjashtë muajsh të mund të kërkonin ndihmë për t’i dhënë fund jetës, nëse plotësonin një sërë kushtesh dhe masash mbrojtëse.

Votimi u zhvillua pas një debati të gjatë dhe emocional në Parlament, ku deputetët e të dyja kampeve argumentuan për pasojat që do të kishte ndryshimi i ligjit.

BBC shkruan se projektligji, i paraqitur nga deputetja laburiste Lauren Edwards, nuk do të vijojë më tej në procesin parlamentar. Vendimi i së premtes e bën të pamundur një ndryshim të menjëhershëm të ligjit për vdekjen e asistuar, megjithëse një përpjekje e re mund të bëhet në një seancë të ardhshme parlamentare.

Një projektligj i ngjashëm ishte mbështetur nga deputetët në seancën e kaluar parlamentare, por më pas nuk arriti të përfnte procesin në Dhomën e Lordëve.

Sipas propozimit të fundit, personat që do të kërkonin vdekjen e asistuar do t’i nënshtroheshin disa kontrolleve. Mes masave mbrojtëse ishte kërkesa për miratimin e dy mjekëve dhe një paneli ekspertësh.

Mbështetësit e projektligjit argumentuan se njerëzit me sëmundje terminale duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mënyrën se si përfn jeta e tyre.

Deputetëve iu dha një votë e lirë, çka do të thotë se ata nuk ishin të detyruar të ndiqnin qëndrimin e partive të tyre politike.

Votimi shkaktoi reagime të forta jashtë Parlamentit. Mbështetës dhe kundërshtarë të vdekjes së asistuar u mblodhën në Sheshin e Parlamentit, ndërsa pas rezultatit pati emocione nga të dyja palët.

Esther Rantzen, aktiviste dhe themeluese e Childline, e cila është në fazë terminale me kancer, tha se ishte e trishtuar që njerëzit me sëmundje terminale në Angli dhe Uells nuk do të kenë zgjedhjen që ekziston në disa vende të tjera.

Rantzen ka deklaruar gjithashtu se është tashmë shumë e brishtë fizikisht për të udhëtuar në Zvicër, ku vdekja e asistuar është e ligjshme në rrethana të caktuara.

Çështja e vdekjes së asistuar është debatuar për qindra orë në Parlament gjatë dy viteve të fundit dhe ndryshimi i ligjit do të përbënte një nga ndryshimet më të rëndësishme shoqërore në Britani në vitet e fundit.

Pavarësisht humbjes së projektligjit, debati politik dhe shoqëror mbi vdekjen e asistuar pritet të vazhdojë dhe çështja mund të rikthehet në një seancë të ardhshme parlamentare. Top Channel