Foto ilustruese Vetëm nga janari në korrik 2026, përfitimet neto të raportuara nga Kuvendi për deputetët arrijnë në rreth 166.8 milionë lekë. Mbi 108 milionë lekë janë dieta për udhëtime brenda vendit, ndërsa 31.9 milionë të tjera janë rimbursime karburanti. Lista vazhdon me qira banesash, hotele, telefona, honorare dhe madje pasaporta biometrike. Të jesh deputet në Shqipëri nuk do të thotë vetëm të marrësh pagën mujore. Përtej saj është një listë e gjatë përfitimesh që paguhen nga buxheti i shtetit: karburant, telefon, dieta, qira banese, hotel, honorare dhe deri te rimbursimi i pasaportës biometrike.
Një analizë e të dhënave të publikuara nga Kuvendi për periudhën janar-korrik 2026 tregon se vetëm këto përfitime neto kanë arritur në 166,789,200 lekë, ose rreth 1.67 milionë euro me një kurs të përafërt prej 100 lekësh për euro.
Dhe këtu nuk po flasim për pagat e deputetëve, e cila në 7 muaj shkon në 291,204,492 lekë.
Pjesën dërrmuese të faturës e zënë dietat për udhëtimet brenda vendit. Në shtatë publikimet mujore të Kuvendit rezultojnë rreth 108.1 milionë lekë dieta. Duhet saktësuar se tabela e janarit përfshin edhe dieta të raportuara për dhjetorin e mëparshëm, ndaj kjo shifër përfaqëson pagesat e pasqyruara në dokumentet janar-korrik dhe jo domosdoshmërisht vetëm dieta të krijuara gjatë këtyre shtatë muajve.
Më pas vjen karburanti. Nga përllogaritja e të dhënave rezultojnë rreth 31.87 milionë lekë rimbursime për karburant, ndërsa rreth 15.41 milionë lekë të tjera janë rimbursime për telefoninë.
Vetëm këto tri kategori: dieta, karburant dhe telefon, kapin mbi 155 milionë lekë.
Por lista nuk mbaron këtu.
Deputetëve u janë paguar rreth 3.98 milionë lekë neto për qira banese, rreth 7.26 milionë lekë honorare neto për mbledhjet e komisioneve dhe nënkomisioneve, 99 mijë lekë për fatura hotelesh dhe 105 mijë lekë për pasaporta biometrike. Po, edhe pasaporta.
Në dokumentet e Kuvendit rezultojnë 14 deputetë që gjatë kësaj periudhe kanë marrë rimbursim për pasaportë biometrike, në masën 7,500 lekë secili.
Mes tyre është edhe deputeti Kliti Hoti, për të cilin në muajin shkurt figuron rimbursimi prej 7,500 lekësh për pasaportë biometrike. Në të njëjtën listë shfaqen emra si Adi Qose, Asfloral Haxhiu, Enriketa Jaho, Genti Lakollari, Ledina Alolli, Manjola Luku, Sara Mila, Ardit Bido, Fidel Kreka, Igli Cara, Agron Gaxho, Alma Selami dhe Zamira Sinaj.
Pra, buxheti publik nuk mjafton të paguajë pagën dhe privilegjet që burojnë nga mandati; në raste të caktuara paguan edhe dokumentin e udhëtimit.
Edhe hoteleria ka faturën e vet. Në shtatë muaj janë raportuar 99 mijë lekë rimbursime hotelesh. Ina Zhupa rezulton me tre rimbursime nga 15 mijë lekë, ndërsa në lista shfaqen edhe Kiduina Zaka, Arkend Balla, Agron Gaxho, Agron Malaj, Hysen Buzali, Besnik Brahimi, Aurora Mara, Bledar Çuçi dhe Bujar Rexha.
Një tjetër zë është bonusi për qiranë. Sipas të dhënave, 22 deputetë kanë përfituar të paktën një pagesë për qira gjatë periudhës së analizuar. Në total, rimbursimet neto të qirasë arrijnë afërsisht 4 milionë lekë.
Por zëri që bie më shumë në sy mbetet ai i dietave.
Nga 132 emra deputetësh që shfaqen në shtatë tabelat e analizuara, 124 rezultojnë me të paktën një pagesë diete. Në krye të shumave të akumuluara për dieta del Niko Peleshi me rreth 1.35 milionë lekë, i ndjekur nga Milva Ekonomi me rreth 1.27 milionë dhe Gazment Bardhi me rreth 1.22 milionë lekë. Një grup i gjerë deputetësh lëviz gjithashtu rreth nivelit 1.2 milionë lekë dieta të pasqyruara gjatë kësaj periudhe.
Dhe këtu lind pyetja që Kuvendi nuk e zgjidh vetëm duke publikuar një tabelë Excel: çfarë merr qytetari në këmbim të gjithë kësaj fature?
Dietat dhe karburanti justifikohen si shpenzime të lidhura me lëvizjen dhe ushtrimin e mandatit. Por tabelat e Kuvendit tregojnë shumën që paguhet, jo punën konkrete të kryer në terren për secilin rimbursim. Ato nuk tregojnë sa takime me qytetarët janë zhvilluar, ku është shkuar, çfarë problemi është ngritur dhe çfarë rezultati ka sjellë vizita.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur vetëm karburanti dhe dietat i kushtojnë buxhetit rreth 140 milionë lekë në shtatë publikime mujore.
Nëse deputeti paguhet për të shkuar te zgjedhësi, publiku ka të drejtë të dijë jo vetëm sa litra karburant apo sa dieta janë rimbursuar, por edhe ku ka shkuar deputeti dhe çfarë ka bërë atje.
Përndryshe kemi një sistem ku shpenzimi dokumentohet deri në qindarkë, ndërsa rezultati politik dhe puna në terren mbeten të padukshme.
Ironia bëhet edhe më e fortë për faktin se mandati parlamentar nuk është një punë me pagë minimale. Në Kuvend ka politikanë me pasuri dhe interesa ekonomike të konsiderueshme, por sistemi i përfitimeve funksionon njësoj: nga karburanti dhe dieta, te qiraja, hoteli dhe pasaporta.
Ligjërisht, këto pagesa mund të jenë të parashikuara nga rregullat e Kuvendit. Politikisht, kjo nuk i bën më pak të debatueshme.
Sepse në fund nuk është pasaporta 7,500-lekëshe ajo që fs buxhetin. Është simbolika e një sistemi privilegjesh ku shteti merr përsipër pothuajse çdo kosto të mandatit, ndërsa qytetarit i kërkohet vazhdimisht të shtrëngojë rripin.
166.8 milionë lekë në shtatë muaj, pa futur këtu pagat e deputetëve.
Dieta për të lëvizur. Karburant për të lëvizur. Hotel kur duhet fjetur. Qira për të banuar. Telefon për të komunikuar. Pasaportë për të udhëtuar. Honorare për komisionet.
Të gjitha nga taksat e qytetarëve.
Prandaj debati nuk duhet të jetë vetëm nëse deputetët i kanë marrë këto para sipas rregullores. Pyetja është shumë më e thjeshtë: a e justifikon puna që shohin shqiptarët faturën që paguajnë për Parlamentin e tyre? /Pamfletikuveni luks dieta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Riciklimi dixhital i fantazmave që mbajnë peng Shqipërinë! 26 Gusht 2026, 17:1617:16Politike ‘Beteja’ e platformave për të afruar qytetarë/ Pas 'Pasqyrës' së Ramës, Berisha krijon 'Agora PD' 26 Gusht 2026, 15:5215:52Politike SPAK-u në 8 muajt e Klodian Brahos; 197 dosje në sirtar; asnjë "i paprekshëm" në pranga 26 Gusht 2026, 13:2113:21Politike Presidenti Begaj pret ambasadoren e re të Belgjikës: Në fokus, integrimi në BE 26 Gusht 2026, 13:0613:06Politike Nga Kievi në Madrid, si drejtësia po lëkund pushtetin e miqve të Ramës dhe testi i SPAK 25 Gusht 2026, 22:2022:20Politike Nga dietat te karburanti/ Mbi 700 mijë euro për deputetët në korrik, u rimbursuan për qiratë edhe ata që deklaruan miliona euro 25 Gusht 2026, 21:2821:28Politike

