Gjykata e Durrësit ka lënë në arrest në burg për 45 ditë Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të akuzuar për dhunimin e kamarierit 18-vjeçar në Malin e Robit, pasi i riu kërkoi pagën për punën e kryer.
Por pas vendimit, avokati i tyre, Altin Sinella, është përpjekur ta minimizojë ngjarjen, duke e cilësuar si “një sherr të rëndomtë” dhe duke pretenduar se dëmtimet e të riut janë të lehta.
Madje, avokati deklaroi se 18-vjeçari i kishte provokuar dy të arrestuarit, ndërsa më pas pranoi se nuk ishte “shumë i qartë” se çfarë kishte ndodhur realisht.
“Viktima i ka provokuar, këta i janë kthyer. Kanë pasur një debat verbal”, tha Sinella.
Një deklaratë që ngre pikëpyetje, pasi avokati kërkon të rrëzojë akuzën e Prokurorisë duke e paraqitur ngjarjen si një konflikt të zakonshëm, ndërkohë që vetë pranon se nuk është i qartë mbi dinamikën e përplasjes.
Për më tepër, sipas hetimeve të raportuara pas ngjarjes, në hotel ishte pastruar vendi ku kishte ndodhur konflikti dhe ishte hequr DVR-ja e kamerave të sigurisë, ndërsa kabllot ishin prerë.
Tashmë pritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe hetimet e mëtejshme për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur realisht me 18-vjeçarin dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

