Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, është dhunuar paraditen e së dielës, rreth orës 10:45, në qendër të qytetit. Sipas informacioneve paraprake, Tabaku dyshohet se është goditur nga dy persona, të identifikuar nga burime pranë hetimit si Endri Çopja dhe Horgito Peqini. Dyshohet se gjatë sulmit janë përdorur edhe sende të forta. Sipas kartelës mjekësore, ai ka pësuar dy fraktura në kokë. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se i dëmtuari nuk ka paraqitur kallëzim në Policinë e Elbasanit. Megjithatë, policia ka nisur hetimet kryesisht, pasi ngjarja është parë nga disa qytetarë. Hetuesit po verifikojnë rrethanat e incidentit, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një konflikt të mundshëm për punësim. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Tabaku kishte larguar nga puna bashkëshorten e Endri Çopjas në Bashkinë e Elbasanit, çka mund të ketë qenë shkak i përplasjes.
