89 persona kanë marrë kujdes shëndetësor pas protestës së djeshme në kryeqytet, mes tyre 61 efektivë policie dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas informacionit të bërë publik nga strukturat shëndetësore, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të jenë të shtruar 4 efektivë policie dhe 2 protestues, të cilët do të qëndrojnë nën kujdesin e ekipit mjekësor.
Pjesa tjetër e të lënduarve ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe është larguar nga spitali, sipas rekomandimeve të mjekëve. Ndërkohë, në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit përkatës, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.
Sipas njoftimit, në QSUT nuk ka aktualisht pacientë që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor pas protestës.
Në Spitalin Universitar të Traumës pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore një protestues dhe dy efektivë policie. Të tre janë koshientë dhe në gjendje të mirë shëndetësore, sipas informacionit zyrtar. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

