Rreth 67% e bizneseve që kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE Group për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura kanë zgjedhur t’i likuidojnë ato me një këst të vetëm, duke përfituar faljen e plotë të kamatëvonesave. Deri në tetor 2026, gjithsej 789 biznese kanë përfituar reduktim të kamatëvonesave, ndërsa në total janë nënshkruar 5,762 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU). Marrëveshjet përfshijnë kategori të ndryshme klientësh dhe mbulojnë detyrimet e prapambetura të krijuara deri më 31 dhjetor 2024. LEXO edhe...Energjia në tregun e lirë, ERE përgatit rregulla të reja për krahasimin e çmimeve Sipas të dhënave zyrtare të OSHEE-së, numri i klientëve privatë që kanë zgjedhur shlyerjen e detyrimit me një këst është rritur me 20%, krahasuar me numrin e aktmarrëveshjeve të lidhura mes bizneseve dhe FSHU-së deri në gusht të këtij viti. Burime nga OSHEE i thanë “Monitor” se një nga faktorët që ka ndikuar në këtë ecuri është lehtësimi i aksesit të abonentëve në platformat digjitale të kompanisë, përmes aplikacionit OSHEE Mobile dhe faqes zyrtare www.oshee.al. Reduktimi i kamatëvonesave, nga 50% deri në 100% Skema e aktmarrëveshjeve me OSHEE-në parashikon dy alternativa kryesore për shlyerjen e detyrimeve: pagesën e menjëhershme, e cila shoqërohet me reduktime më të larta të kamatëvonesave, dhe pagesën me këste, që u mundëson abonentëve ta shlyejnë detyrimin në një periudhë më të gjatë. Klientët familjarë përfitojnë reduktim prej 70% të kamatëvonesave, ndërsa për klientët jofamiljarë parashikohet një ulje prej 50%. Lehtësia më e madhe është parashikuar për bizneset e vogla, të cilat përfitojnë faljen 100% të kamatëvonesave në rast se likuidojnë të gjithë detyrimin me një pagesë të vetme. Kjo skemë u jep bizneseve të vogla mundësinë të mbyllin menjëherë detyrimet ndaj furnizuesit të energjisë elektrike, duke shmangur kostot shtesë që lidhen me kamatëvonesat. Pagesa me këste deri në 240 muaj për kategoritë e veçanta Skema e aktmarrëveshjeve përfshin të gjitha kategoritë e klientëve që kanë detyrime të krijuara deri në fund të vitit 2024. Megjithatë, për disa kategori në kushte të veçanta ekonomike dhe sociale, lehtësitë shtrihen edhe mbi detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025. Konkretisht, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë mund të përfshijnë në aktmarrëveshje edhe detyrimet e vitit 2025. Për këta abonentë është përcaktuar një këst minimal prej 1,200 lekësh në muaj, ndërsa shlyerja e detyrimeve mund të shtrihet deri në 240 këste. Kusht për përfitimin e kësaj lehtësie është që klientët të mos krijojnë detyrime të reja të papaguara gjatë vitit 2026. Kërkesa synon të sigurojë që, paralelisht me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, abonentët të vijojnë të paguajnë rregullisht faturat e reja të energjisë elektrike. Ndërkohë, për klientët buxhetorë, jobuxhetorë dhe bizneset, afatet e shlyerjes janë përcaktuar nga 24 deri në 120 këste. Numri i kësteve përcaktohet në varësi të vlerës së detyrimit që duhet likuiduar, duke u dhënë klientëve mundësinë ta ndajnë pagesën në një periudhë më të gjatë kohore. Skemë e veçantë edhe për faturat korrektive dhe sistemuese Përveç detyrimeve të zakonshme të papaguara, OSHEE Group ka miratuar edhe një skemë të posaçme për faturat korrektive, përmbledhëse dhe sistemuese. Në këtë kategori përfshihen edhe rastet që lidhen me demontimin ose testimin e matësve të energjisë elektrike, si dhe detyrimet që burojnë nga energjia e akumuluar në matës. Për këto raste, klientët kanë mundësi të lidhin aktmarrëveshje dhe t’i shlyejnë detyrimet deri në 24 këste. Edhe në këtë kategori, klientët që zgjedhin likuidimin e menjëhershëm të detyrimit përfitojnë reduktim të kamatëvonesave, sipas kushteve të përcaktuara në skemë./Monitor SI.E./ReportTv.al OSHEE energjia elektrike Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50% Jo 41.5% Nuk e di 8.5% Vota total: 518 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?

