Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi i radhës me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka përfunduar pa një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja, ndërsa palët vijojnë të mbeten të ndara veçanërisht për çështjen e Presidentit. Pas takimit, Abdixhiku tha se aktualisht nuk sheh hapësirë për një dakordim politik, nëse subjektet nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre.
“Jemi shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje aktuale dhe nuk pres që kjo të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet e partive politike”, deklaroi ai.
Pika kryesore e përplasjes sipas tij mbetet posti i Presidentit. Abdixhiku konfirmoi se LDK-ja kërkon që kandidatura për këtë post të vijë nga radhët e saj dhe të dakordësohet më pas me partnerët politikë.
“LDK ka propozuar që emri i presidentit të vijë nga LDK-ja dhe natyrisht të diskutohet me partnerin, por s’kemi pasur marrëveshje”, tha Abdixhiku.Ai bëri të ditur gjithashtu se i ka kërkuar Kurtit që seanca e Kuvendit të thirret menjëherë, në mënyrë që të procedohet me konstituimin e institucioneve.
Sipas Abdixhikut, në kushtet aktuale, takimet e mëtejshme mes palëve kanë kuptim vetëm nëse ekziston gatishmëri për kompromis.
“Takimet kanë kuptimin kur ka gatishmëri për kompromise. Në momentin që pajtohemi që propozimi për President të vjen nga LDK, atëherë bashkë e propozojmë emrin për president”, u shpreh ai.Abdixhiku paralajmëroi se koha po ngushtohet dhe se afatet kushtetuese mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

