Lajme Zone
Dështojnë dëgjesat për Reformën Territoriale në Belsh, qytetarët nuk marrin pjesë në konsultimet për bashkimin me Elbasanin
PolitikëTop Channel

Dështojnë dëgjesat për Reformën Territoriale në Belsh, qytetarët nuk marrin pjesë në konsultimet për bashkimin me Elbasanin

Dështojnë takimet e konsultimeve me qytetarët për Reformën Territoriale në bashkinë e Belshit.

Dështojnë takimet e konsultimeve me qytetarët për Reformën Territoriale në bashkinë e Belshit. Takimi i parë i thirrur nga Këshilli Bashkiak i parashikuar për datën 31 gusht në qytet dështoi për shkak të mospjesëmarrjes qytetare, ndërsa Këshilli Bashkiak vendosi të caktojë një datë tjetër me shpresën e interesimit qytetar,

I parashikuar në 1 Shtator ka dështuar edhe takimi me banorët e Njësisë Administrative Kajan. Edhe për këtë takim këshilli do të gjykojë caktimin e një date tjetër.

Ajo që të bien në sy është mungesa e interesit dhe një indiferencë nga ana e qytetarëve të Bashkisë Belsh qoftë pro apo kundër hartës së re të parashikuar.

Këshilli Bashkiak i Belshit ka publikuar kalendarin e dëgjesave publike në 10 gusht, kohë e mjaftueshme për informimin e qytetarëve.

Reforma Administrative Territoriale parashikon bashkimin e Belshit dhe Cërrikut me Elbasanin. Ndërkohë që në të gjithë qarkun e Elbasanin nuk kanë munguar protestat qytetare, në Belsh, i vetmi organizim shënoi një pjesëmarrje shumë të vogël qytetarësh.

Projektligji për Reformën e re Administrative Territoriale i propozuar nga PS u është dërguar të gjitha bashkive të vendit ku kërkohet të merret mendimi i qytetarëve, e po ashtu zyrtarisht të shprehen Këshillat Bashkiakë dhe kryetarët e bashkive.

Në bashkitë që nuk preken nga kjo reformë dëgjesat qytetare kanë qenë kryesisht formale, por ato kanë marrë rëndësi, kryesisht në bashkitë që shkrihen. Top Channel