Nga bixhozi te shitja e sendeve personale dhe marrja e kredive, një sondazh tregon sakrificat e mëdha që bëjnë prindërit për të blerë pajisjet shkollore të fëmijëve. Sondazhi, i kryer me 2000 prindër të fëmijëve në moshë shkollore, zbuloi se 8% kanë luajtur bixhoz për të siguruar para për mjetet shkollore. Të tjerë kanë lënë peng sendet e tyre (12%), kanë marrë kredi personale ose kredi afatshkurtra (15%), kanë shitur sende (16%), kanë krijuar borxhe në karta krediti (20%) ose kanë përdorur shërbime “bli tani, paguaj më vonë” (23%).Lexo edhe:FOTOLAJM/ Dita u kthye në natë, si u përjetua eklipsi i Diellit nëpër botë Rreth 70% e prindërve thanë se ndihen të bllokuar në një “kurth të prindit për kthimin në shkollë”, për shkak të presionit që fëmijët të kenë të njëjtat rroba, pajisje teknologjike dhe mjete shkollore si bashkëmoshatarët. Më shumë se gjysma (54%) kanë frikë se do të gjykohen nëse ripërdorin rrobat apo pajisjet e viteve të mëparshme. Për 70%, blerjet për shkollën janë shpenzimi më stresues financiar i vitit, ndërsa 58% i konsiderojnë më stresuese se blerjet e festave. Presioni për të mos i lënë fëmijët jashtë ka bërë që 61% të blejnë diçka që nuk e përballonin, ndërsa 42% janë penduar më pas. Këto blerje përfshijnë produkte të markave të njohura, këpucë, pallto dhe laptopë që kushtojnë qindra dollarë. Një prind tha se bleu një Mac Book Air prej rreth 1200 dollarësh sepse të gjithë shokët e djalit e kishin. Ndjenja e fajit luan rol të madh: 74% ndihen fajtorë kur nuk mund t’u blejnë fëmijëve gjithçka që duan, ndërsa 69% ndihen si prindër të dështuar nëse nuk mund t’u sigurojnë gjithçka që u nevojitet për shkollë. Për të përballuar shpenzimet, 35% heqin dorë nga restorantet, 30% nga hobet dhe 28% nga kujdesi për pamjen. Disa madje shtyjnë kursimet, shlyerjen e borxheve ose pagesën e qirasë dhe kredisë. 14% kanë krijuar tashmë borxhe, ndërsa 39% presin të marrin borxhe të reja gjatë këtij sezoni. Ekspertët këshillojnë prindërit të përqendrohen te nevojat reale të fëmijëve, jo te krahasimi me të tjerët. Fëmijët, theksojnë ata, kujtojnë më shumë mbështetjen dhe dashurinë sesa markën e çantës së shkollës. /Talker News – Syri.net

