Kombëtarja shqiptare U-21 ka regjistruar fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Në ndeshjen e dytë të Grupit B, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi mposhtën Kosovën me rezultatin bindës 3-1, duke konfirmuar formën e mirë të treguar që në sfidën e debutimit. Pas barazimit premtues 1-1 ndaj Italisë, skuadra shqiptare zhvilloi një tjetër paraqitje dominuese, e cila u konkretizua me gola në fraksionin e dytë të lojës. Ishte Ersi Bode ai që theu akullin dhe kaloi Shqipërinë në avantazh, për t’i hapur rrugë pak më vonë dyfishimit të shifrave nga Valentin Daja.
Në minutat e shtesës së takimit pati vend për emocione të tjera. Arlind Lleshi tundi rrjetën për të vulosur golin e tretë të kuqezinjve, ndërkohë që pak çaste para vërshëllimës finale, Kosova gjeti golin e ngushëllimit me anë të Edor Hajdinit.
Me këtë sukses, djemtë e Bushit ngjiten në kuotën e 4 pikëve pas dy ndeshjeve të para, duke forcuar pozitat dhe ambiciet e tyre në këtë aventurë mesdhetare. Tani e gjithë vëmendja zhvendoset te sfida e tretë, një përballje direkte për kreun e grupit kundër Algjerisë, e planifikuar për t’u luajtur më 26 gusht, në orën 21:00.
Renditja aktuale e Grupit B: Ekipi
Pikët 1. Algjeria
6 pikë 2. Shqipëria
4 pikë 3. Italia
1 pikë 4. Kosova
0 pikë Top Channel

