Lajme Zone
Denoncimi i fortë i Zak Topuzit: Rrugët në Shqipëri pa vijëzime dhe sinjalistikë, rrezik për jetën
PolitikëCNA

Denoncimi i fortë i Zak Topuzit: Rrugët në Shqipëri pa vijëzime dhe sinjalistikë, rrezik për jetën

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, ka n...

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës rrugore në Shqipëri, duke deklaruar se shumë akse kryesore janë pa vijëzim dhe sinjalistikë horizontale, pikërisht në kulmin e sezonit turistik.

Topuzi denoncon se gjatë dy muajve të fundit ka përshkuar pothuajse të gjitha rrugët kryesore të vendit dhe ka konstatuar mungesë të standardeve bazë të sinjalistikës, një situatë që sipas tij rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente.

Ai theksoi se Shqipëria pret çdo vit një numër turistësh disa herë më të madh se popullsia e saj, ndërsa shumica e vizitorëve hyjnë në vend me automjete përmes kufijve tokësorë. Sipas Topuzit, krahasuar me vendet fqinje si Mali i Zi, Greqia dhe Kroacia, diferenca në mirëmbajtjen e rrugëve dhe sinjalistikën është e dukshme.

Sipas tij, mungesa e vijëzimit nuk krijon vetëm pasiguri për drejtuesit e mjeteve, sidomos gjatë natës apo në kushte të vështira atmosferike, por pengon edhe funksionimin e sistemeve moderne të asistencës në drejtim, si mbajtja automatike e korsisë.

Topuzi kritikoi gjithashtu mënyrën e vendosjes së tabelave të kufizimit të shpejtësisë, duke argumentuar se ndryshimet e shpeshta dhe pa kritere të qarta teknike krijojnë konfuzion për drejtuesit e mjeteve. “Konstatim: Gjatë dy muajve të fundit kam përshkuar gati të gjitha akset rrugore të Shqipërisë. Thuajse të gjitha rrugët, në kulmin e sezonit turistik, janë të pavijëzuara dhe pa sinjalistikën minimale horizontale!

Një vend që pret një fluks turistësh sa 6-fishi i popullsisë, ku rreth 66.3% e tyre hyjnë përmes kufijve tokësorë me automjetet e tyre, nuk është thjesht një mungesë estetike, është rrezik për jetën. Mjafton të kalosh kufirin me Malin e Zi, Greqinë apo Kroacinë për të parë ndryshimin e madh: rrugë të mirëmbajtura, sinjalistikë e qartë dhe vijëzim.

Pasojat dihen. Rritje e rrezikut për aksidente (sidomos gjatë natës apo me reshje) dhe dalja jashtë funksionit e sistemeve moderne të sigurisë të mjeteve të reja të pajisura me Lane Assist (Sistemi i Ndihmës për Mbajtjen e Korsisë ).

Kaosi me sinjalistikën vertikale është më absurd. Tabelat e kufizimit të shpejtësisë janë çdo 200–300 metra, me ndryshime drastike e pa asnjë kriter teknik? Ato vendosen shpesh si "zgjidhje" artificiale sepse nuk janë zbatuar standardet inxhinierike në hyrje-daljet e rrugëve dytësore.

Vendosja e kamerave inteligjente dhe monitorimi me dronë të akseve rrugore, janë hapa pozitivë drejt modernizimit. Por shteti duhet të plotësojë më parë detyrimet e tij standarde përpara se të kërkojë penalizimin dhe gjobitjen e drejtuesve të mjeteve përmes teknologjisë”, denoncon Zak Topuzi./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.