Një denoncim ka mbërritur pranë redaksisë së CNA i cili i referohet dy procedurave të prokurimit të zhvilluara nga Bashkia Tropojë, ku pretendohet se kompania “Vllaznimi” sh.p.k. ka përfituar dy kontrata brenda një periudhe të shkurtër, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Sipas denoncuesit, kontrata e parë, me objekt “Rikonstruksion, asfaltim i rrugëve, mbushje gropash”, ka një vlerë prej 5,650,797 lekësh dhe është lidhur më 28 korrik 2026, me afat përfundimi një muaj.
Denoncuesi pretendon se gjatë kësaj procedure janë skualifikuar operatorë të tjerë pjesëmarrës dhe se kontrata i është dhënë kompanisë “Vllaznimi” sh.p.k., e cila, sipas tij, ka lidhje familjare me kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi. Por pikëpyetjet, sipas denoncimit, shtohen me procedurën e dytë.
Bëhet fjalë për kontratën me objekt “Ndërtim i mureve mbajtës dhe drenazh në mbrojtje të tokave dhe shtëpive, në fshatin Gri dhe Dojan, Njësia Administrative Bujan, Bashkia Tropojë”, me fond prej 7,124,286 lekësh, e cila, sipas denoncuesit, i është dhënë sërish të njëjtës kompani. Në denoncim ngrihet edhe një çështje lidhur me kriteret e kapacitetit teknik të përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.
Sipas denoncuesit, operatori ekonomik duhet të paraqesë deklaratë nga administratori se inxhinierët e deklaruar për kualifikim janë të disponueshëm për realizimin e kontratës dhe nuk janë të angazhuar në kontrata të tjera.
Një kërkesë e ngjashme, sipas denoncuesit, parashikohet edhe për makineritë dhe pajisjet, të cilat duhet të angazhohen në objektin e prokurimit, ndërsa Autoriteti Kontraktor ka të drejtë të verifikojë disponueshmërinë e tyre.
Denoncuesi pretendon se, në momentin e dhënies së kontratës së dytë, “Vllaznimi” sh.p.k. kishte ende të angazhuar stafin teknik dhe mjetet në kontratën e parë, e cila ishte lidhur më 28 korrik 2026 dhe kishte një afat zbatimi prej një muaji.
Sipas këtij pretendimi, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet të kishte verifikuar nëse kompania plotësonte kushtet e kërkuara për kapacitetin teknik dhe disponueshmërinë e burimeve njerëzore e materiale.
Sipas denoncuesit procedurat janë favorizuar nga drejtues të Bashkisë Tropojë dhe se dhënia e kontratave kompanisë “Vllaznimi” sh.p.k. lidhet me marrëdhënien familjare të administratorit të saj me kryetarin e bashkisë.
Kjo nuk është hera e parë që Bashkia Tropojë akuzohe dhe denoncohet për shkelje në procedura prokurimi./ CNA Dokumenta bashkëngjitur Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

