Situata nga zjarri në jug të vendit mbetet alarmante. Flakët e rëna paraditen e kësaj të hëne në malin e Matomares, në bashkinë Finiq, kanë dalë jashtë kontrollit dhe po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga erërat e forta.
Vatra e zjarrit është shtrirë drejt territorit të bashkisë Delvinë, duke përfshirë zonat pranë fshatrave Mesopotam, Kostar dhe Vllahat. Për shkak të avancimit të flakëve, banesat në këto fshatra janë vënë në rrezik, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën.
Për përballimin e emergjencës janë angazhuar forcat zjarrfikëse, strukturat vendore dhe një helikopter, i cili po ndërhyn nga ajri për të ndihmuar në izolimin e vatrave aktive. Bashkitë Finiq dhe Delvinë kanë kërkuar mbështetje shtesë nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Pavarësisht rrezikut që u kanoset banesave, deri në këto momente nuk raportohen dëme në ndërtesa apo persona të lënduar. Ndërkohë, operacioni për shuarjen e flakëve vijon, me synimin për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

