Deputeti Pandeli Majko ka replikuar në distancë me kreun e PD, Sali Berisha lidhur me deklaratat e këtij të fundit në Kuvend ku përmendej socialisti. Përmes një postimi në Facebook, Majko i cilëson ‘të moshuara’ batutat e Berishës, ndërsa thekson se ky i fundit nuk i mund dot socialistët. “Berisha më paska përmendur sot në Kuvend…! I vetmi justifikim është mosha e tij! Edhe batutat i ka të “moshuara”! Këtë individ, e bënë lider, studentët! Zgjedhjet e tij e bënë atë, “non grata”! E vetmja pyetje që duhet ti bëj vetes është nëse dikush në forumet e partisë së tij mund të flas si unë tek partia ime? Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen! Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë! Arsyja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndër për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot! Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!” Gjatë fjalës së mbajtur gjatë në seancën plenare të së mërkurës, Berisha iu referua lajmeve të publikuara lidhur me deklaratat e pretenduara të Majkos në Asamblenë e PS, ku flitej për video erotike. Berisha iu drejtua përfaqësuesve të shumicës me pyetjen: “Po denoncimi i Majkos?”, ndërsa paralajmëroi se, sipas tij, do të bëhen publike edhe informacione të tjera. Në deklaratën e tij, kreu i PD-së përmendi edhe “skenat erotike”, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë materiale që ende nuk janë bërë publike.
