Lajme Zone
Debati Berisha-Lala/ AGSH: Të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje
PolitikëCNA

Debati Berisha-Lala/ AGSH: Të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ka reaguar pas...

Foto nga debati Berisha-Lala Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ka reaguar pas debatit mes Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe gazetares Klodiana Lala, para ambienteve të SPAK.

Përmes një reagimi zyrtar, AGSH ka dënuar gjuhën e përdorur nga kryedemokrati përkundrejt gazetares Lala.

Në reagim, AGSH thekson se gazetarët nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë.

Sipas AGSH, deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm. Asociacioni i bën thirrje kreut të PD-së të tërhiqet nga deklaratat dhe të kërkojë falje.

Reagimi: "Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala. Deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm. AGSH thekson se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë, informacioneve që publikojnë apo mënyrës se si ushtrojnë profesionin e tyre.

Çdo politikan, përfshirë drejtuesit e opozitës, ka të drejtën të kundërshtojë raportimet mediatike, të kritikojë përmbajtjen e tyre dhe të kërkojë korrigjimin e pasaktësive. Megjithatë, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në një instrument për të sulmuar personalisht gazetarët apo për të vënë në dyshim integritetin e tyre profesional përmes akuzave të pambështetura në fakte.

AGSH vlerëson se një gjuhë e tillë, veçanërisht kur përdoret nga figura me ndikim të lartë politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, të minojë besimin publik te media dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e lirë të profesionit. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Klodiana Lala dhe u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë, pa dallim, të respektojnë dinjitetin dhe pavarësinë e gazetarëve. Ne i bëjmë thirrje kreut të PD të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje."/CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.