Lajme Zone
Debate për Reformën Territoriale, “zien” këshilli bashkiak në Maliq/ Opozita akuza Topçiut dhe Peleshit
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Debate për Reformën Territoriale, “zien” këshilli bashkiak në Maliq/ Opozita akuza Topçiut dhe Peleshit

Sot mbledhja në Këshillin Bashkiak në Maliq është shoqërua...

Sot mbledhja në Këshillin Bashkiak në Maliq është shoqëruar me debate dhe tensione. Në mbledhje ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak Maliq për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.

Mbledhja ishte njoftuar të zhvillohej rreth orës 10:00, por situata ndryshoi pas deklaratës së grupit të këshilltarëve të majtë, të cilët u shprehën se nuk do të merrnin pjesë në një vendimmarrje lidhur me propozimin që duhet t’i dërgohet Parlamentit.

Si rrjedhojë, mbledhja është mbyllur për 20 minuta duke sjellë reagime të shumta.

Deputetja Ledina Alolli në një prononcim për gazetarët ka hedhur akuza ndaj kryetarit të Bashkisë Gëzim Topçiu dhe drejtuesit politik të qarkut Niko Peleshi. “Sapo ka përfunduar një mbledhje e paprecedentë e Këshillit Bashkiak Maliq. Një mbledhje e cila ishte thirrur sot jashtë radhe me firmat e 1/3 së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, me objektin dhe qëllimin e vetëm që këshilltarët e Bashkisë Maliq të shpreheshin në mënyrë të qartë në lidhje me atë çfarë ka projekt Partia Socialiste për reformën territoriale. Projekti i tyre është që Bashkia e Maliqit të shkrihet dhe të bashkohet me Korçën. Dhe qëllimi i kësaj mbledhje ishte që të shprehej ky Këshill me një qëndrim zyrtar drejtuar Parlamentit në lidhje me se çfarë mendonin këshilltarët bashkiakë.

Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar dëgjesa, ashtu siç dhe ju e dëgjuat dhe u shpreh dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, me banorët e Maliqit në të gjithë territorin e saj. Nga informacionet që ne sot kemi marrë, 95% e këtyre banorëve janë shprehur kundër bashkimit të Maliqit me Korçën. Dhe sot ne prisnim që të gjithë të merrnim edhe një vendim zyrtar të anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Por çfarë ndodhi?

Me një skenar sot të përgatitur nga drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, nga Gëzim Topçiu, vijnë këshilltarët dhe kërkojnë informacione të mëtejshme. Por një pyetje kam sot: çfarë informacione kërkojnë këta kur vetë Niko Peleshi dhe Gëzim Topçiu kanë qenë në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama?

Një gjë do t'ju them këshilltarëve sot: kur je anëtar i Këshillit Bashkiak, je aty për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të tu, janë ata që të kanë zgjedhur, nuk je për të përfaqësuar interesa partiake. Dhe më duket sot se interesat partiake prevaluan mbi interesat e qytetarëve.

Kështu që në këto momente, unë i bëj thirrje banorëve të Maliqit: tani fuqia është e juaja, e keni ju në dorë dhe ne do të jemi mbështetja juaj në mënyrë që Maliqi, Bashkia Maliq, të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me Bashkinë e Korçës.

Partia Demokratike dhe opozita shqiptare ka një projekt shumë të qartë: 100 bashki. Çfarë do të thotë? Që qytetari është në qendër të kësaj reforme dhe në qendër të këtij projekti, sepse shërbimet janë ato që na interesojnë sot për të qenë më pranë qytetarëve, dhe sigurisht duhet të jetë bashkia më pranë qytetarit dhe jo qytetari më pranë bashkisë.

Kjo është ajo çfarë ne sot prisnim faktikisht, një vendim unanim të të gjithë këshilltarëve, por ndodhi e kundërta”, tha Alolli. Nga ana tjetër Tedi Blushi, Sekretari i Përgjitshëm i PL-së ka deklaruar se fati i Maliqit është marrë peng nga Gëzim Topçiu. "Së pari më lejoni të falënderoj këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Maliq për qëndrimin e tyre dinjitoz në mbrojtje të Maliqit, në mbrojtje të kësaj treve të jashtëzakonshme e cila jo më kot është cilësuar si hambar i Shqipërisë. Një trevë e cila fatkeqësisht, referuar gjithmonë projektit ogurzi, shpopullues dhe shkombëtarizues të Edi Ramës, është bërë pjesë e planit për shfarosjen dhe për shkrirjen me Bashkinë e Korçës, një term i cili, e theksoj, nuk ekziston as në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Nuk ka term 'shkrirje', ka vetëm term 'bashkim'.

Megjithatë, është për të ardhur keq që fati i Maliqit, fati i mirë i banorëve duarartë dhe punëtorë të kësaj treve, është marrë peng sot nga Gëzim Topçiu, i cili, pasi mbaroi shtatë mandate si kryetar bashkie, tanimë po bën një pazar të fëlliqur në kurriz të këtyre banorëve për të përfituar një post drejtori në administratën e ardhshme të Bashkisë së Korçës, çka është totalisht e papranueshme.

Dua të shpreh keqardhjen e thellë për qëndrimin e këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, të cilët nuk arritën dot të ngrihen mbi interesat politike dhe të jenë në një linjë me interesat e të gjithë banorëve të Maliqit, të cilët kundërshtojnë masivisht shkrirjen e tyre me Bashkinë e Korçës dhe mbi të gjitha shkrirjen dhe fshirjen nga harta e Shqipërisë të Bashkisë Maliq, një trevë e cila gjenden jo vetëm gjurmë të banimit shumë të hershëm, pra ka jo vetëm një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike, por mbi të gjitha ka një pasuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe mbi të gjitha njerëz duarartë, të cilët mjafton të vish apo kushdo që shkon në Korçë, për të parë dhe për t'u ndjerë krenarë me punën e këtyre njerëzve, të cilët sot e kanë shndërruar Maliqin në hambar të Shqipërisë.

Por sigurisht, kjo është pikërisht arsyeja pse Edi Rama e urren Maliqin, pse ai do ta shpopullojë Maliqin sepse këtu ka ende njerëz të cilët sakrifikojnë çdo ditë, nuk i kanë braktisur vatrat e tyre, por të cilët tani detyrohen të shkojnë në Korçë për të marrë një shërbim qoftë edhe më elementar, më bazik.

Më lejoni të marr një shembull. Një banori të Dusharit, në kufi me Skraparin, do t'i duhet të bëjë 75 kilometra rrugë për të shkuar në Bashkinë e Korçës për të marrë qoftë një leje apo një dokument të thjeshtë. Mendoni një qytetar, me ndihmë ekonomike në Dushar, 35 mijë lekë të vjetra, i duhet të shpenzojë rreth 40 mijë apo 50 mijë lekë të vjetra për të shkuar në Korçë dhe për t'u kthyer, thjesht e vetëm për të marrë një shërbim kur ai e ka aktualisht bashkinë, i ka shërbimet afër qytetarit.

Dua të theksoj gjithashtu që kjo reformë çkombëtarizuese, thellësisht shpopulluese, nuk synon asgjë tjetër veçse boshaktisjen e Maliqit, shpopullimin dhe mbi të gjitha goditjen e fermerëve duarartë të kësaj zone, të cilët edhe pse janë të nënfinancuar, edhe pse qeveria prej tre vitesh u ka mohuar edhe fondet e IPARD-it që i vodhi, dhe e patë se si ai krimineli që vrau edhe policin, në arrati përfitonte fonde nga AZHBR-ja, kur ndërkohë prej vitesh ishte në kërkim nga policia dhe ndërkohë merrte fondet e bujqve dhe fermerëve duarartë të Maliqit, por kjo situatë tanimë nuk mund të tolerohet.

Dhe unë i bëj thirrje popullit patriot të Maliqit, i cili është tradhtuar, është prerë në besë nga Edi Rama, është prerë në besë nga Niko Peleshi, i cili me paturpësinë më të madhe, u informova që mbrëmë në darkë ka qenë në Maliq, ka urdhëruar, ka shantazhuar, ka blerë, ka korruptuar, duke filluar nga Gëzim Topçiu, nuk mund të jetë e ardhmja e Maliqit post-këmbimi për një drejtor për Gëzim Topçiun.

Është fyese, është kriminale dhe mbi të gjitha asnjë këshilltar bashkiak socialist nuk ka autoritetin që të verë interesin e vet personal mbi interesat e mbi 40 mijë banorëve të kësaj treve.

Është e pafalshme dhe tani është fjala e qytetarëve të Maliqit, të cilët i ftoj dhe i nxis të marrin në dorë fatet e tyre, të marrin në dorë fatet e familjeve të tyre, të marrin në dorë tokat e tyre, sepse paketa e maleve do të godasë edhe Maliqin. Do t'u marrin pronat, do t'u marrin pyjet, do t'u marrin shtëpitë, sepse ky në fakt është dhe projekti i Edi Ramës, shpopullimi, shpopullimi dhe vetëm shpopullimi i Maliqit.

Dhe për më tepër, është shumë e turpshme që sot në këtë mbledhje duhet të ishin deputetët, edhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kur dolën në fushatë, a u premtuan banorëve, a u thanë banorëve të Maliqit se do u shkrijnë bashkinë? A ishte kjo arsyeja pse Maliqi e votoi Partinë Socialiste? Në rast se e ka votuar, po e zëmë se ato vota janë të ndershme në Maliq. A u premtoi Niko Peleshi në fushatë që do u shkrijë bashkinë? A u premtoi Ilir Pendavinji këtyre banorëve që do u shkrijë bashkinë? A u premtoi Romina Kuko këtyre banorëve që do u shkrijë bashkinë?

Është turp! Është turp, është një thikë pas shpine! Dhe në qoftë se i shihni deputetët e Partisë Socialiste, që edhe sot nuk patën guximin të vijnë këtu të mbronin interesat, zërin e qytetarëve të Maliqit, t'i dëboni nga Maliqi sepse ata nuk e meritojnë jo vetëm t'ju përfaqësojnë në Parlamentin e Shqipërisë, por as edhe të shkelin më në këtë zonë, të cilën duan ta fshijnë me firmën, me votën e tyre nga harta e Shqipërisë", tha Blushi./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.