Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez i kanë dhënë fund beqarisë. Çifti është martuar zyrtarisht sot, në një ceremoni civile të zhvilluar në Cascais, Portugali, në një atmosferë private dhe intime, vetëm në praninë e pesë fëmijëve të tyre. Lajmin e martesës e kanë bërë publik vetë Ronaldo dhe Georgina përmes rrjeteve sociale, duke zgjedhur një mënyrë sa të thjeshtë, aq edhe simbolike. Çifti publikoi një fotografi ku shihen duart e tyre të vendosura njëra mbi tjetrën, ndërsa në gishtat e tyre dallohen qartë unazat e martesës. Krahas fotos, ata vendosën vetëm dy shkronja dhe një zemër: “CG” ❤️ Asnjë fotografi nga ceremonia, asnjë imazh i fustanit të nuses dhe asnjë deklaratë e gjatë. Ronaldo dhe Georgina preferuan ta ndanin me fansat vetëm simbolin e “po”-së së tyre. Çifti është në një lidhje që prej vitit 2017, kur Georgina Rodríguez punonte si asistente në një dyqan të “Gucci”. Po atë vit lidhja e tyre u bë publike. Së bashku, Ronaldo dhe Georgina kanë dy vajza, Alana Martina dhe Bella Esmeralda. Cristiano Ronaldo është gjithashtu babai i Cristiano Jr., si dhe i binjakëve Eva dhe Mateo.
Në vitin 2022, çifti përjetoi një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tyre, me humbjen e djalit të tyre, Ángel, gjatë lindjes. Fejesa u bë publike në gusht të vitit 2025, kur Georgina shfaqi në rrjetet sociale unazën e madhe të fejesës që i kishte dhuruar Ronaldo.
Pas gati 10 vitesh së bashku, Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez kurorëzojnë kështu dashurinë e tyre, duke zgjedhur një martesë larg zhurmës dhe spektaklit, por me një simbol të vogël që mjaftoi për t’i dhënë lajmin gjithë botës: “CG” ❤️. Top Channel

