I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, politikani Kreshnik Çollaku i tha deputetit të Partisë Socialiste, Ermal Pacaj, se meritonte komplimente për kurajën që, si përfaqësues i mazhorancës, po përballej publikisht në një studio televizive me situatën e krijuar nga protestat në Tiranë. Çollaku e cilësoi protestën një ditë suksesi për mosbindjen civile, duke argumentuar se synimi i saj nuk është marrja e godinave apo e zyrave shtetërore, por paralizimi i funksionimit të institucioneve. “Duhet të komplimentohesh për kurajën që, si përfaqësues i PS-së, sot ballafaqohesh publikisht. Të jesh sot përfaqësues dhe të mbrosh e të justifikosh këtë situatë në Tiranë duhet kurajë shumë e madhe. Po numëron numrin e gurëve në trotuar. Unë jam edhe prind, por po e lë prindin mënjanë dhe po flas si politikan. Kjo është një ditë suksesi e një mosbindjeje civile klasike. Çfarë mendoni, se këta 14-vjeçarë do të vrasin Edi Ramën apo do t’i marrin karrigen? Synimi nuk është të marrin godinën apo të zënë zyrën, por të defunksionalizojnë funksionimin e shtetit dhe autoritetin e tij. Mosbindja civile nuk e vret ligjshmërinë e një kryeministri. Ai zgjidhet ose rrëzohet me votën e parlamentit ose në zgjedhje. Mosbindja civile vret legjitimitetin e një autoriteti dhe kjo mosbindje civile ia ka vrarë legjitimitetin qeverisë sot. Tiranën nuk e qeveris qeveria, por këto grupet e 14-vjeçarëve. Policia është shndërruar në një gjahtare të adoleshentëve. Çdo orë që zgjat paraliza e institucioneve është fitore për mosbindjen civile. Sot qeveria në Tiranë nuk mund ta ushtrojë autoritetin e saj si institucion. As ligjin nuk e garanton, as semaforët, as lëvizjen, as biznesin, as bankat. Tirana është paralizuar. Nuk qeveris qeveria, por qeverisin këto grupe dhe kjo është fitore për mosbindjen civile”, tha ai. Deputeti i PS-së, Ermal Pacaj: Protestuesit nuk e dinë se çfarë kërkojnë
