Rama me Kushner dhe Guilfoyle Shqipëria rrezikon të preket nga hetimet që demokratët mund të nisin ndaj administratës Trump. CNN ka renditur nëntë çështje për hetim, mes tyre konfliktet e mundshme të interesit të Jared Kushnerit dhe dyshimet ndaj Kimberly Guilfoyle, ish-ambasadores amerikane në Greqi. Kushner ka planifikuar investime në Shqipëri, ndërsa pas takimit të Edi Ramës me Guilfoyle u nënshkrua marrëveshja për gazin. Demokratët amerikanë po përgatiten për një fazë të re të përballjes me administratën e Donald Trumpit, teksa perspektiva e marrjes së kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit u krijon mundësinë të ushtrojnë mbikëqyrje më të fortë ndaj Shtëpisë së Bardhë.
Qasja e presidentit ndaj etikës qeveritare, rregullave institucionale dhe kufizimeve ligjore ka krijuar një numër të madh çështjesh që mund të bëhen objekt hetimesh parlamentare.
Por numri i madh i rasteve paraqet edhe një vështirësi politike. Demokratët duhet të vendosin nëse do të hapin hetime në shumë drejtime njëkohësisht apo do të përqendrohen te çështjet me peshën më të madhe ligjore dhe politike.
Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew tregon se 67% e amerikanëve shqetësohen më shumë nga mundësia që demokratët të kryejnë tepër hetime, ndërsa 31% druhen se ata mund të hetojnë më pak sesa duhet.
Këto rezultate sugjerojnë se një numër i madh hetimesh mund ta shpërndajë vëmendjen e publikut dhe ta bëjë më të vështirë ndjekjen e rezultateve të secilës çështje.
Në këtë kontekst, nëntë fusha paraqesin rëndësi të veçantë për mbikëqyrjen parlamentare.
9. Sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge
Një nga çështjet që mund të shqyrtojë Kongresi lidhet me sulmet ushtarake amerikane ndaj anijeve që administrata i identifikon si mjete të trafikantëve të drogës.
Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar personat e shënjestruar si luftëtarë të paligjshëm, por operacionet kanë ngritur pikëpyetje për bazën ligjore të përdorimit të forcës vdekjeprurëse.
Kritikat janë shtuar pas zbulimit se ushtria kishte kryer një sulm të dytë ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, një praktikë e njohur si double-tap.
Edhe disa republikanë kanë shprehur shqetësime për këto operacione.
Senatori demokrat Tim Kaine, nga Virxhinia, ka deklaruar se pas shqyrtimit të provave të disponueshme ka arritur në përfundimin se sulmet ka të ngjarë të kenë shkaktuar në mënyrë të paligjshme vdekjen e personave që nuk ishin të përfshirë në trafikimin e narkotikëve.
Për demokratët, hetimi paraqet një vështirësi politike, pasi kundërshtimi i operacioneve mund të interpretohet si mbrojtje e personave të dyshuar për trafik droge. Megjithatë, natyra e sulmeve dhe pikëpyetjet ligjore krijojnë arsye për të kërkuar informacion të mëtejshëm nga administrata.
8. Ndërhyrjet e Trumpit në ndërtesat dhe monumentet federale
Një tjetër fushë hetimi mund të përfshijë projektet e rindërtimit dhe ndryshimet në objekte të rëndësishme publike.
Trump urdhëroi shembjen e Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë, pavarësisht deklarimeve të mëparshme se kjo pjesë e ndërtesës nuk do të prekej.
Administrata e tij ndërmori gjithashtu përpjekje për të vendosur emrin e presidentit në Qendrën Kennedy. Pas një urdhri gjyqësor për heqjen e emrit, autoritetet mbuluan fasadën e ndërtesës.
Një tjetër rast lidhet me ndërhyrjet në basenin pasqyrues pranë Memorialit të Lincolnit, ku punimet ngritën dyshime për cilësinë e zbatimit dhe mungesën e një procedure konkurruese prokurimi.
Çështja përfshiu edhe ndjekjen penale të një personi, në një rast që dukej se mbështeste pretendimet e pabazuara të Trumpit për vandalizëm. Departamenti i Drejtësisë më pas e pushoi çështjen.
Hetimet parlamentare mund të përqendrohen te procedurat e vendimmarrjes, përdorimi i fondeve publike dhe respektimi i rregullave për administrimin e pronave federale.
7. Elon Musk dhe veprimtaria e tij në administratën federale
Miliarderi Elon Musk mund të bëhet gjithashtu objekt i hetimeve të Kongresit.
Përfshirja e tij në nismën DOGE, e cila synonte reduktimin e shpenzimeve dhe ristrukturimin e administratës federale, ka ngritur pyetje për ndikimin e këtyre masave në funksionimin e institucioneve.
Demokratët mund të shqyrtojnë nëse ndërhyrjet e DOGE penguan veprimtarinë e agjencive federale dhe nëse vendimet u morën në përputhje me procedurat përkatëse.
Një tjetër çështje lidhet me shërbimin satelitor Starlink dhe raportimet për kufizime që ndikuan në aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.
Pyetja kryesore është nëse përgjegjësia për këto kufizime i takonte Muskut apo administratës Trump.
Rëndësi të veçantë ka edhe fakti se kompanitë e Muskut përfitojnë nga kontrata të mëdha federale, çka mund të ngrejë çështje të konfliktit të interesit.
Megjithatë, një hetim ndaj tij mund të shkaktojë kundërshtime politike, duke pasur parasysh mbështetjen financiare prej qindra milionë dollarësh që Musk u ka dhënë republikanëve.
6. Hetimet penale ndaj kundërshtarëve politikë të Trumpit
Përdorimi i institucioneve të drejtësisë ndaj kundërshtarëve politikë përbën një tjetër çështje që demokratët mund ta vendosin në qendër të hetimeve.
Vëmendja mund të përqendrohet te ndjekjet penale të pasuksesshme ndaj prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, dëshmitares së ngjarjeve të 6 janarit, Cassidy Hutchinson, dhe gjashtë anëtarëve demokratë të Kongresit.
Krahas këtyre rasteve, administrata ka ndërmarrë hetime ndaj kundërshtarëve të tjerë të presidentit, në disa raste mbi baza provash që kanë ngritur pikëpyetje.
Demokratët mund të kërkojnë të përcaktojnë nëse Departamenti i Drejtësisë ka vepruar në mënyrë të pavarur apo nëse vendimet e tij janë ndikuar nga interesat politike të Shtëpisë së Bardhë.
Një hetim i tillë do të kishte rëndësi për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe për parandalimin e një praktike ku administratat e njëpasnjëshme përdorin procedurat penale kundër rivalëve politikë.
5. Nvidia, Megaspeed dhe dyshimet për lidhje me Kinën
Një nga çështjet më të fundit lidhet me kompaninë Nvidia, drejtuesin e saj Jensen Huang dhe kompaninë Megaspeed.
Rasti ka rëndësi të veçantë për shkak të rolit të Nvidia-s në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe konkurrencën teknologjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Në qendër të dyshimeve janë mundësia e spiunazhit kinez ndaj kompanisë dhe transferimi potencialisht i paligjshëm i çipave të avancuar të inteligjencës artificiale drejt Kinës përmes Megaspeed.
Çështja përfshin edhe Departamentin e Tregtisë, të drejtuar nga Howard Lutnick.
Sipas sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, departamenti i Lutnickut refuzoi ta përfshinte Megaspeed në listën e zezë, pavarësisht shqetësimeve të ngritura.
Kjo ka krijuar pikëpyetje nëse qasja e departamentit mund të ketë favorizuar një biznes familjar të lidhur me Lutnickun.
Departamenti i Tregtisë ka deklaruar se Lutnick ka respektuar të gjitha marrëveshjet dhe detyrimet etike.
Një hetim parlamentar mund të kërkojë të sqarojë se cilët zyrtarë kishin informacion për Megaspeed, kur e morën atë dhe nëse autoritetet i trajtuan siç duhet të dhënat mbi marrëdhënien e Huangut me një biznesmene kineze.
4. Operacionet e ICE dhe dëbimet e emigrantëve
Politikat e administratës Trump për emigracionin përbëjnë një fushë të gjerë hetimi.
Një nga çështjet kryesore lidhet me vdekjen e Renee Good dhe Alex Pretti gjatë ndërhyrjeve të zyrtarëve federalë në Minneapolis.
Administrata nuk ka pranuar të zhvillojë hetime për këto raste, duke nxitur kritika për mungesë llogaridhënieje.
Demokratët mund të shqyrtojnë gjithashtu raste të tjera të mundshme të sjelljes së paligjshme nga autoritetet e emigracionit, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e gabuar të qindra shtetasve amerikanë.
Hetimet mund të përfshijnë edhe dëbime të paligjshme, si dhe deklarata të pasakta që Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka bërë për disa prej këtyre incidenteve.
Ashtu si me sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, demokratët përballen me rrezikun që kundërshtimi i politikave të administratës të interpretohet si mbështetje për emigracionin e paligjshëm.
Megjithatë, vetë Trump ka pranuar se fushata e dëbimeve të administratës së tij përfi duke qenë tepër e ashpër.
3. Dosjet Epstein dhe pyetjet për marrëdhënien me Trumpin
Dosjet që lidhen me Jeffrey Epstein mbeten një nga çështjet më të ndjeshme për administratën amerikane.
Megjithëse një pjesë e madhe e materialeve është shqyrtuar publikisht, disa pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
Demokratët mund të kërkojnë të përcaktojnë se çfarë dinte Trump për veprimtarinë e Epstein dhe kur ishte informuar për të.
Një tjetër çështje lidhet me deklaratat e pasakta të presidentit për afërsinë e tij me Epstein, si dhe me arsyet pse administrata nuk ka publikuar të gjitha dokumentet.
Vëmendje të veçantë mund të marrë rasti i Ghislaine Maxwell, e dënuar për trafikim seksual të të miturve.
Maxwell përfitoi një transferim në kushte më të favorshme burgimi pasi bëri deklarata që u konsideruan të dobishme për Departamentin e Drejtësisë.
Demokratët mund të kërkojnë të sqarojnë se kush e miratoi transferimin, mbi çfarë baze u mor vendimi dhe nëse trajtimi i saj lidhej me informacionin që dha.
Çështja mund të përfshijë edhe prokurorin e përgjithshëm Todd Blanche, i cili pati kontakte me Maxwell.
2. Lufta me Iranin dhe sulmi ndaj një shkolle
Lufta me Iranin mund të kthehet në një nga temat kryesore të hetimeve parlamentare.
Një pikë qendrore është mospërputhja mes arsyetimeve dhe objektivave që administrata Trump ka paraqitur për ndërhyrjen ushtarake.
Demokratët mund të kërkojnë të përcaktojnë nëse Shtëpia e Bardhë i informoi saktë qytetarët amerikanë për kërcënimin që paraqiste Irani dhe për arsyet e nisjes së luftës.
Raportimet kanë ngritur dyshime se Trump e ekzagjeroi afërsinë dhe seriozitetin e kërcënimit iranian.
Një hetim i mundshëm mund të ndjekë një qasje të ngjashme me shqyrtimet parlamentare të luftës në Irak, duke analizuar informacionet e inteligjencës dhe mënyrën se si administrata i përdori ato për të justifikuar ndërhyrjen.
Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me sulmin amerikan ndaj një shkolle fillore iraniane në fazën e hershme të luftës.
Administrata ka refuzuar të komentojë hollësisht për ngjarjen, duke iu referuar një hetimi të brendshëm që vazhdon.
Raportimet tregojnë se sulmi mund të jetë mbështetur në informacione të vjetruara të inteligjencës.
Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se ngjarja mund të përbëjë krim lufte.
Kongresi mund të kërkojë dokumente, dëshmi dhe informacione mbi procesin e përzgjedhjes së objektivit, për të përcaktuar përgjegjësitë për sulmin.
1. Përfitimet financiare të Trumpit, familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij
Në krye të çështjeve që mund të hetojnë demokratët qëndrojnë përfitimet financiare të presidentit, familjes dhe personave të afërt me administratën.
Veprimtaritë e Trumpit në sektorin e kriptomonedhave, promovimi i aksioneve që kishte blerë dhe shitja e aksesit të hershëm te postimet e tij në rrjetet sociale kanë ngritur pyetje për përdorimin e pozitës presidenciale për përfitime private.
Vëmendja mund të përqendrohet edhe te konfliktet e mundshme të interesit të Jared Kushnerit dhe Steve Witkoffit, të cilët kanë pasur role të rëndësishme në negociatat ndërkombëtare të administratës.
Një tjetër figurë që mund të shqyrtohet është sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, për shkak të lidhjeve të tij me interesa private.
Hetimet mund të përfshijnë gjithashtu fondet federale që kanë përfituar kompani të mbështetura nga firma e investimeve e Donald Trump Jr.
Së fundmi, dyshime për tregtim të ndikimit politik janë ngritur edhe ndaj ish-ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dhe ish-zyrtares së lartë të Departamentit të Drejtësisë, Alina Habba.
Këto raste mund t'u japin demokratëve mundësinë të shqyrtojnë nëse vendimet qeveritare kanë favorizuar interesa private të lidhura me presidentin dhe rrethin e tij.
Korrupsioni u kthye në një shqetësim gjithnjë e më të madh për votuesit në fazën përfundimtare të zgjedhjeve. Për këtë arsye, hetimet mbi përfitimet financiare dhe konfliktet e interesit mund të kenë ndikim të konsiderueshëm politik.
Për demokratët, sfida nuk qëndron vetëm te identifikimi i rasteve që meritojnë shqyrtim, por edhe te përzgjedhja e hetimeve që mund të prodhojnë rezultate konkrete dhe të kuptueshme për publikun.
Me marrjen e kontrollit të Kongresit, ata do të kenë mundësi të kërkojnë dokumente, të thërrasin zyrtarë për dëshmi dhe të shqyrtojnë vendimet e administratës. Megjithatë, sondazhet tregojnë se qytetarët presin që ky proces të përqendrohet te çështjet më të rëndësishme dhe të mos shndërrohet në një seri të pafundme përplasjesh politike. /Përshtatur nga "CNN"kushner cnn Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Veliaj sfidon Ramën, nis “fshesën” në Bashkinë e Tiranës; ikin kreu i IMT-së dhe drejtoresha e Kopshteve 21 Nëntor 2026, 22:2822:28Politike Përplasja Rama-Veliaj merr përmasa të reja, Bashkia sulmon kryeministrin: Nuk varemi prej teje, boll me presione 21 Nëntor 2026, 16:3016:30Politike Deputetja e gafave Briseida Çakërri merr përsipër ligjin për blerjet e AKSHI-t pa tendera, hapet rruga për kontrata miliona euro pa garë 21 Nëntor 2026, 14:1514:15Politike Edi Rama përmbys PS-në e Tiranës: Pushteti zhvendoset në periferi 21 Nëntor 2026, 14:1314:13Politike Presidenti Begaj takon të rinjtë e nismës 'Fol Shqip': Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri! 21 Nëntor 2026, 13:5513:55Politike Rama porosi socialistëve në mbledhjen me dyer të mbyllura: Të gjithë në terren, nuk ka konflikt të brendshëm në PS 21 Nëntor 2026, 13:5313:53Politike

