Të marrësh një shtëpi me qira në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, qiraja mesatare për një apartament 1+1 arriti në 590 euro në muaj, nga 565 euro një vit më parë, duke shënuar rritje 4.4%. Ndërsa për një 2+1 çmimi mesatar u ngjit në 954 euro, nga 755 euro në janar-qershor 2025, ose rreth 26% më shumë. Të dhënat e “Century 21”, të përpunuara për “Monitor” në 13 zona të Tiranës, tregojnë se kostoja e strehimit po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet e familjeve dhe të rinjve, ndërsa edhe INSTAT konfirmon një tendencë të vazhdueshme rritëse të çmimeve të qirave.
Diferencat mes zonave janë edhe më të forta. Për apartamentet 1+1, rritja më e madhe u regjistrua pranë stadiumit “Air Albania”, ku qiraja mesatare arriti në 800 euro, 45.4% më shumë se një vit më parë. Në ish-Bllok një 1+1 kushton mesatarisht 700 euro, ndërsa në Zogun e Zi 620 euro, me rritje 29%. Edhe periferia nuk ka shpëtuar nga shtrenjtimi: në Astir qiraja mesatare arriti 550 euro, 16% më shumë. Për 2+1, çmimet janë edhe më të kripura: pranë “Air Albania” dhe “Selman Stërmasit” arrijnë deri në 1,500 euro në muaj, ndërsa në Myslym Shyri shkojnë në 1,400 euro, rreth 87% më shumë se një vit më parë. Në Rrugën e Elbasanit një 2+1 arrin 1,250 euro, ndërsa në Zogun e Zi 900 euro.
Sipas agjentëve imobiliarë, 2+1 janë apartamentet më të kërkuara, veçanërisht nga familjet, çiftet e reja, profesionistët dhe të huajt që jetojnë në Shqipëri. Rritja e kërkesës, oferta e kufizuar dhe zgjerimi i tregut të qirave ditore po ushtrojnë presion mbi çmimet, sidomos në zonat qendrore dhe premium. Për disa kategori qiramarrësish, si profesionistët e huaj, diplomatët dhe punonjësit e kompanive ndërkombëtare, afërsia me qendrën dhe shërbimet justifikon një kosto më të lartë. Për familjet dhe të rinjtë shqiptarë, megjithatë, 590 euro për një 1+1 dhe gati 1,000 euro për një 2+1 po e kthejnë strehimin në një nga faturat më të rënda mujore në Tiranë.

