Pas dhjetë vitesh që Vilma Nushi e 3P Life Logistic dhe Klod Allajbeu i DiaVitës e Spitalit Amerikan i kanë thithur gjakun shëndetësisë publike me dy koncesione që i kushtuan shqiptarëve 17.2 miliardë lekë, ose 182 milionë euro, tani marioneta e Ministrisë së Shëndetësisë del para kamerave dhe shpall triumfalisht se “shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti”. Sa e bukur tingëllon! Sa e guximshme! Sa e vonuar!
Kontratat thjesht mbarojnë. Në shtator check-up-i i Vilma Nushit, në nëntor dializa e Klod Allajbeut. Asnjë “shtetëzim heroik”, asnjë luftë kundër oligarkëve, asnjë vendim i guximshëm. Vetëm skadenca e natyrshme e dy kontratave që u lindën në errësirë, u rritën me pagesa për shërbime që shpesh nuk u kryen kurrë dhe u ushqyen me milionat e taksapaguesve. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka dokumentuar prej vitesh: pagesa të dyfishta te dializa, seanca fantazmë, investime që duhej të ishin bërë e nuk u bënë kurrë. Te check-up-i i Nushit, miliona euro dividentë, kulla që u financuan me paratë e kontrollit bazë të popullsisë, ndërsa qytetarët mbetën me analiza që shpesh ishin formalitet.
Dhe kush e shpall këtë “fitore”? Evis Sala, ajo që nga 2022 deri në 2025 ishte rektore e Western Balkans University, universiteti i Klod Allajbeut, me rrogë 15 mijë euro në muaj. Kur i mbaroi mandati i rektoratit, u bë ministre dhe tani po i kthen “nderin” skllavopronarit të saj: i jep sa më shumë tendera e koncesione, shkurtimisht lekët e popullit. E njëjta që vazhdon të shfaqet në foto ku skllavopronari i jep udhëzime. Marioneta e të njëjtit sistem që dikur i dha sterilizimin me 150 milionë euro, atë që SPAK e kualifikoi si procedurë korruptive dhe që më në fund u kthye te shteti, tani pretendon se po “shpëton” shëndetësinë duke mos rinovuar dy koncesione që kanë skaduar.
Plani djallëzor nuk është të kthejë shërbimet te shteti. Ai është më i thjeshtë dhe më cinik: të pastrojë imazhin e qeverisë pasi oligarkët kanë marrë pjesën e tyre, të heqë qafe dy skandale që digjen në duar (hetime SPAK, raporte KLSH, denoncime të pafund), dhe të hapë rrugën për skema të reja, më të rafinuara, ku të njëjtët njerëz ose miqtë e tyre do të rivendosen me emra të tjerë. Se nuk është hera e parë. Sterilizimi u “shtetëzua” pasi e kishte shpuar xhepin e shqiptarëve… por në krye të shoqërisë së re publike u vu Arisa Cane, ish-embriologe e Spitalit Amerikan, pra një tjetër skllave e Allajbeut. Koncesioni iku, por paratë dhe kontrolli mbetën në të njëjtat duar. Tani radha e check-up-it dhe dializës. Nesër do të jetë diçka tjetër.
Ndërkohë, pacientët me probleme renale vazhdojnë të varen nga aparatura të vjetra, qytetarët mbi 35 vjeç dëgjojnë premtime për check-up falas pa kufizim moshe, ndërsa të njëjtët emra që kanë ndërtuar perandori mbi shëndetin publik vazhdojnë të rrinë të qetë. Vilma Nushi nuk është zhdukur. Klod Allajbeu nuk është zhdukur. Vetëm kontratat e tyre skadojnë, dhe marioneta del të bëjë show-n e “shtetëzimit”.
Kjo nuk është reformë. Është pastrim i skenës pasi shfaqja e grabitjes ka mbaruar. Dhe Evis Sala, me tonin e saj të qetë e “profesional”, është thjesht aktorja e radhës që lexon tekstin që i kanë shkruar.

