Takimet e fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë rritur pritshmëritë për një marrëveshje rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Dy liderët janë takuar sërish të shtunën në mbrëmje, por pas takimit nuk kanë dhënë detaje dhe nuk kanë bërë deklarata për media. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se negociatat mund të përfjnë me rezultat pozitiv.
Mediat në Prishtinë citojnë Haxhiun të ketë bërë thirrje që marrëveshja të arrihet sa më shpejt, duke e konsideruar zgjedhjen e presidentit të rëndësishme për funksionimin dhe vazhdimin e proceseve institucionale. Megjithatë, brenda Vetëvendosjes janë shfaqur edhe dyshime lidhur me mundësinë e sigurimit të votave në Kuvend.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka theksuar se nëse Kurti dhe Abdixhiku bien dakord për një kandidat, Abdixhiku duhet të sigurohet më parë që deputetët e LDK-së ta mbështesin marrëveshjen në Kuvend. Ndërkohë, partitë opozitare kanë kritikuar mënyrën e zhvillimit të negociatave. PDK-ja ka kërkuar që çështja e presidentit të diskutohet dhe zgjidhet në Kuvend, pasi pikërisht deputetët janë ata që duhet ta zgjedhin presidentin.
Edhe AAK-ja ka kritikuar mungesën e transparencës, duke kërkuar të dihet se çfarë po diskutohet dhe çfarë përfitimi konkret kanë qytetarët nga takimet e mbyllura mes dy liderëve. Top Channel

