Qindra qytetarë u mblodhën në protestë këtë të hënë në Cërrik për të kundërshtuar hapur propozimin për shkrirjen e Bashkisë së Cërrikut dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Elbasanit, në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Protestuesit shprehën shqetësimin e tyre se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë negativisht në përfaqësimin e qytetarëve, cilësinë e shërbimeve publike dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e social të zonës. Gjatë tubimit, banorët paralajmëruan se reagimet e tyre nuk do të ndalen me kaq dhe se protestat do të përshkallëzohen nëse institucionet përgjegjëse nuk do t'i marrin parasysh kërkesat e tyre.
Në kuadër të propozimit të Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës administrative, numri i bashkive në qarkun e Elbasanit parashikohet të reduktohet nga shtatë që është aktualisht, në vetëm katër. Plani parashikon bashkimin e bashkive Prrenjas dhe Librazhd, si dhe integrimin e Belshit dhe Cërrikut brenda Bashkisë së Elbasanit.

