Projektbuxheti për vitin 2027 po kalon në çdo Komision Parlamentar. Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Nismat Qytetare, drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado është shprehur se nevojiten më shumë fonde për realizimin e Censit të Bujqësisë.
Sado gjatë fjalës së saj, u shpreh se viti 2027 duhet t’i gjejë të aktivizuar, duke bërë investime në teknologji, mjetet teknike për Censin dhe sipas saj në tetor duhet të kenë rekrutuar punonjës. Ajo është shprehur po ashtu se mosrealizimi i Censit këtë vit ka ndodhur për shkak të vonesave në miratimin e ligjit dhe në financimin e nevojshëm për këtë proces. Ndërsa të tjera fonde shtesë INSTAT kërkoi edhe financim për 11 pozicione të reja pune në institucion. “Në lidhje me Censin e bujqësisë kemi kryer disa detyra kryesore, por 2027-ta duhet të na gjejë të aktivizuar, duke bërë investime në teknologji, mjetet teknike për Censin dhe në tetor duhet të kemi rekrutuar punonjës. 25 milionë lekë për staf shtesë, investimet në infrastrukturë 35 milionë lekë. Dua të theksoj se koha e alokimit të fondeve është vendimtare për realizimin e Censit, pasi procedurat e prokurimeve dhe rekrutimi i stafit kërkojnë kohë. Kërkesa jonë 2.3 miliardë lekë buxhet, INSTAT-it do t’i jepen 1.8 miliardë lekë, ka një diferencë të paplotësuar prej 530 milionë lekësh. Për Censin kemi planifikuar për 2027-ën, afro 736 milionë lekë”, tha drejtoresha e INSTAT. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

