Jo gjithnjë te UEFA e kuptojnë se çfarë ndodh në Itali si psh se përse është kaq e vështirë të ndërtosh stadiume të rinj dhe të kandidohesh për një fazë finale. Por akoma më e pakuptueshme është politika e brendshme kundër një presidenti Federate të sapozgjedhur me shumicë dërrmuese, por që nuk është ‘i regjistruar’. Dhe kështu nga një problem në tjetrin rrezikohet humbja e kauzës finale. Edhe presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin vendos të thotë diçka në një intervistë për ‘La Gazzetta Dello Sport’, pasi Italia rrezikon t’i komplikojë shumë gjërat vetes dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për organizimin e Euro 2032.
INTERVISTA E PLOTË E CEFERIN
Malago rrezikon të humbasë presidencën dhe FIGC mund të vihet nën administrim…
‘Pa hyrë në interpretime juridike, do të doja të kujtoja se nuk është hera e parë që ngrihen çështje të ndërhyrjeve të jashtme në Federatën e Futbollit; FIFA dhe UEFA gjithnjë kanë këmbëngulur qartë në lidhje me autonominë e Federatave. Uroj që organet kompetente të marrin sa më shpejt të jetë e mundur një vendim konform rregullave sportive; përshkallëzimi i krizës institucionale nuk i bën mirë askujt’.
E njihnit Malagò?
‘Që kur ishte në drejtimin e CONI. Një njeri serioz me shumë dashuri për futbollin që ka qenë gjithnjë në qendër të bisedimeve tona. Kemi një raport të shkëlqyer…’.
Ju dhe Malagò keni një vizion të përbashkët për çështjen Infantino
‘Besimi te sporti ynë bazohet në 3 shtylla; unitet, transparencë dhe një qeverisje në shërbim të shumicës dhe jo pakicës. Kohët e fundit të tre këto parime u shkelën pikërisht nga ata që janë betuar për t’i mbrojtur. Projekti që ndau unitetin e futbollit, mund të jetë arkivuar, por besimi që u kompromentua, nuk u kthyer. Është detyra jonë që ta kthejmë atë. Jam i kënaqur që Italia dhe pjesa tjetër e familjes evropiane, ashtu sikurse edhe disa partnerë të konfederatave të tjera jemi bashkuar, si gjithnjë kur ka qenë e nevojshme të viheshim në mbrojtje të lojës sonë. Po e përsëris edhe njëherë: futbolli nuk është në shitje’.
Nëse FIGC do të vihej nën administrim, cilat do të ishin rreziqet?
‘Nuk kemi ndërmend të paragjykojmë vendimet e institucioneve por pavarësia e Federatave dhe respektimi i vullnetit të anëtarëve të tyre janë principe thelbësore të statuteve të UEFA dhe FIFA dhe presim që të respektohen. Besojmë se institucionet sportive italiane do të dinë të gjejnë një zgjidhje në linjë me principe të tilla, në interes të futbollit italian dhe ndërkombëtar’.
Duke folur më konkretisht; a lidhen çështja Malagò dhe Euro 2032?
‘Nuk kam ndërmend të komentoj skenarë hipotetikë. Nuk është marrë asnjë vendim. Them vetëm se si vend bashkëorganizator, Italia ka një përgjegjësi të veçantë. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që të ruhet pavarësia e institucioneve sportive. Çdo lloj forme e ndërhyrjes politike mund ëtë minojë besimin e UEFA dhe partnerëve të tjerë, gjë që nuk është në interesin as të futbollit italian e as të turneut’.
Në 2 prill, ju thatë për politikën: ‘Në vend që të mendoni për Gravinën, mendoni për stadiumet’: Ka ndryshuar diçka këtu’
‘Diskutimi mbetet i vlefshëm sepse infrastrukturat futbollistike nuk janë aspak në lartësinë e prestigjit që gëzon futbolli italian. Megjithatë janë bërë hapa para. Në gusht, 13 qytete shfaqën interesin për të pritur ndeshjet, investimet e mëdha që janë bërë të ditura janë sinjal inkurajues që tregojnë se rëndësia e situatës është kuptuar edhe në nivel institucional. Gjithsesi koha nuk është në favorin e askujt nga ne. Disponibiliteti i shfaqur duhet të përkthehet sa më shpejt të jetë e mundur në hapa konkretë; e vetmja gjë që ka rëndësi për suksesin’.
Përse Italia nuk arrin të rinovojë stadiumet siç ndodh në pjesën tjetër të Evropës?
‘Nuk është vetëm çështje parash, por sidomos modeli. Pjesa më e madhe e stadiumeve në Itali janë në pronësi të bashkive, ndërsa klubet janë vetëm qiramarrës dhe kështu që nuk kanë interes real të investojnë në një stadium që nuk është i tyri. Kësaj i shtohen procedurat komplekse dhe të gjata, deri te mundësia për të apeluar çdo vendim gjykate, kështu që projektet shpesh zgjasin më shumë se mandati i atij që i ka nisur. Shembujt e Juventusit, Atalantës dhe Udineses tregojnë se kur klubi ka stadiumin e tij dhe e menaxhon atë, rezultatet vijnë shpejt. Për këtë arsye besoj se Euro 2032 është rasti i duhur për ë përmirësuar këtë model dhe që Italia në bashkëpunim me institucionet, klubet dhe komunitetet lokale do të dijë ta shfrytëzojë’.
Sigurisht, duke organizuar Euro 2032, Italia. nuk do të ketë probleme me kualifikimin…
‘Observim ndoshta pak cinik, por e kuptoj dhimbjen e të gjithë Italisë pasi mungoi në 3 Botërorë radhazi; për një vend me traditë futbollistike si kjo është një goditje shumë e rëndë. Por që nga 1996, Italia nuk ka munguar në asnjë evropian dhe vetëm përpara 5 vitesh e fitoi. Euro 2032 mund të jetë edhe rasti për një fillim të ri edhe për kombëtaren italiane, jo vetëm për stadiumet’
Përse politika italian i hap gjithnjë probleme UEFA?
‘Nuk do të thoja se Italia i krijon probleme UEFA, përkundrazi. Italia është një nga shtyllat e futbollit evropian për historinë, traditën dhe pasonin e saj dhe me FIGC e të gjithë botën sportive italiane kemi një dialog konstant dhe konstruktiv’.
Dhe çështjet Malagò e Gravina?
‘Malagò e Gravina, i pari zëvendëspresident i UEFA, janë drejtues sportivë shumë të aftë me shumë eksperiencë dhe një ndikim domëthënës në panoramën sportive evropiane. Gravina e la futbollin italian, në shumë aspekte, në kushtë më të mira nga ç’e kishte gjetur. FIGC po dilet nga një administrim dhe kombëtarja italiane nga shoku i moskualifikimit në Botëror. Në më pak se 3 vjet, Italia u shpall kampione e Evropës në ëembley dhe është renditur 2 herë e treta në Nations League. Por merita më e madhe është te ajo që nuk ishte parë më parë; sistemi, me të gjitha sukseset e ekipeve zinxhirë dhe futbollin e vajzave plus kandidatura për të bashkëorganizuar Euro 2032 me Turqinë. Futbolli është i tillë; një rezultat mund të vendosë fatin e një posti, por nuk mund të fshijë thuajse 8 vjet punë të rëndësishme. Koha do të tregojë se sa ka bërë Gravina për futbollin italian’.
Mes klubeve në vështirësi, kombëtare në krizë dhe çështje politike, a ka një rast Itali në Evropë?
‘Nuk do ta quaja ‘rasti Itali’. Momenti është i vështirë, por futbolli jeton me cikle; iu ka ndodhur edhe kombëtareve të tjera të rëndësishme, që më pas janë kthyer më të forta. Italia ka histori, talent dhe kompetenca për të bërë të njëjtën gjë. Duhet kohë, stabilitet dhe investime duke nisur nga stadiumet dhe ekipet e moshave dhe duhet që çdo komponent të bëjë detyrën e tij me profesionalizëm dhe koherencë në respekt të të gjitha institucioneve sportive dhe publike kompetente’. Top Channel

