Avokati Sokol Hazizaj, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar protestat e studentëve dhe qytetarëve, duke kritikuar përdorimin e mjeteve represive ndaj protestuesve dhe duke theksuar përgjegjësinë ligjore të punonjësve të policisë dhe drejtuesve të institucioneve. Hazizaj u shpreh se një qeveri normale nuk mund t’i përgjigjet vullnetit të qytetarëve me mjete represive, por duhet të përdorë instrumentet politike për të trajtuar kërkesat që ngrihen gjatë tubimeve. Ai u ndal edhe te përgjegjësia ligjore për veprimet e policisë gjatë protestave, duke iu referuar Ligjit për Tubimet, Ligjit për Policinë e Shtetit dhe Kodit Penal. Sipas Hazizajt, përgjegjësia për çdo veprim të paligjshëm duhet të individualizohet, ndërsa organet e drejtësisë duhet të identifikojnë personat përgjegjës për veprimet e kryera. Avokati theksoi se përgjegjësia, sipas tij, duhet të shqyrtohet në të gjitha nivelet e zinxhirit të komandimit, duke përfshirë edhe drejtuesit që mund të kenë urdhëruar ose lejuar veprime të paligjshme. “Një qeveri normale nuk mundet dhe nuk ka sesi të ndërmarrë me mjete represive vullnetin e qytetarëve në rrugë. Ndaj ekzistojnë instrumentet politikë, për të marrë çka është e mira në një tubim. Por sa kohë që qytetarë e studentë dolën në rrugë këtu jemi zero në politikë.
Ligji për tubimet, ligji për Policinë e Shtetit dhe Kodi Penal, dhe proceduralisht përgjegjësia është individuale. Një qytetar që punon në polici nuk mund të lajthisë. Një avokat i mirë do t’i kërkojë gjykatës apo prokurorisë individualizimin e veprës penale që është bërë nga një polic apo punonjës i shtetit.
Të jenë të bindur që çdo veprim joligjor i policit dhe sistemit të komandimit, dhe çfarëdo sepse në faj janë të gjithë ata që godasin qytetarët. Por në faj është nga ai i madhi, i pari i vendit, edhe Bajrami është në faj, në shpërdorim detyre. Keni parë ndonjë deklaratë të Presidentit të Republikës t’i thotë qytetarit se do të bisedojë me kryeministrin për këtë”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
