Kryeministri britanik Andy Burnham dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord të shtojnë përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe për të ulur më tej kalimet me anije të vogla në Kanalin Anglez. Macron, i cili zhvilloi një takim me Burnham në Downing Street, ishte lideri i parë i huaj që vizitoi kryeministrin e ri britanik që prej marrjes së detyrës në korrik. Takimi u përqendrua te migracioni, marrëdhëniet Britani e Madhe-BE, Ukraina dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Në njoftimin zyrtar të takimit, Downing Street tha se dy liderët ranë dakord se ishte bërë përparim në uljen e kalimeve me anije të vogla, por theksuan se duhej bërë më shumë.
Burnham e cilësoi vizitën e Macron si “shumë të përshtatshme”, duke e përshkruar presidentin francez si “fqinjin dhe mikun tonë më të ngushtë Emmanuel”.
“Kjo tregon se çfarë mund të arrijë bashkëpunimi, ashtu siç po tregojmë edhe në Ukrainë, në anijet e vogla dhe gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve Britani e Madhe-BE”, tha Burnham.
Macron, nga ana e tij, tha se marrëdhënia mes dy vendeve është “shumë e fortë” dhe se ishte në Londër me “gatishmëri dhe angazhim për t’u afruar”.
Çështja e kalimeve me anije të vogla në Kanalin Anglez ishte një nga temat kryesore të bisedimeve. Dy liderët diskutuan mënyrat për të intensifikuar bashkëpunimin mes Londrës dhe Parisit, me synim frenimin e migracionit të paligjshëm.
Sipas Downing Street, bashkëpunimi me Francën do të jetë thelbësor për të reduktuar më tej numrin e kalimeve.
Kjo çështje është bërë edhe më urgjente pas shfaqjes së të ashtuquajturave “mega-varka”. Në fillim të gushtit, një anije rreth 15 metra e gjatë transportoi një rekord prej 230 emigrantësh drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Megjithatë, numri i mbërritjeve me varka të vogla në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kësaj vere ra në nivelin më të ulët në shtatë vjet. Në takimin dypalësh u diskutua edhe përpjekja e qeverisë britanike për të afruar më shumë Mbretërinë e Bashkuar me Evropën.
Burnham ngriti shqetësime mbi ndikimin e mundshëm që mund të ketë mbi sektorët britanikë plani “Made in Europe”, i cili po hartohet në Bruksel për mbrojtjen e industrive të Bashkimit Evropian.
Kryeministri britanik ka bërë më herët thirrje për lidhje më të ngushta me Evropën, një qasje e ndjekur edhe nga paraardhësi i tij, Sir Keir Starmer.
Vizita e Macron shihet gjithashtu si një sinjal politik se marrëdhënia me Parisin përbën një përparësi për qeverinë e re britanike. Top Channel

