Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues i Këshillit të Evropës, KPT ka publikuar këtë të enjte raportin e tij mbi burgjet ku mbahen dhe trajtohen të burgosurit me probleme të shëndetit mendor. Raporti ka ardhur pas vizitës së KPT në Shqipëri nga 26 janari deri më 2 shkurt 2026. Sipas raportit, objektivi kryesor i vizitës ishte të shqyrtonte trajtimin dhe kushtet brenda ambienteve të Burgut të Shënkollit në Lezhë dhe Spitalit të Burgut të Tiranës. Në raport theksohet se Komiteti vërejti se mangësitë strukturore të identifikuara gjatë vizitave të mëparshme në Shqipëri ende nuk janë adresuar. Ndër problematikat e listuara është se gjykatat nuk i kryejnë masat mjekësore të përcaktuara me ligj në kohën e duhur. Sipas raportit, një tjetër problematikë është cilësia, sasia dhe diversiteti e pamjaftueshëm i trajtimeve të ofruara individëve të vendosur në kujdesin psikiatrik mjeko-ligjor. Gjithashtu sipas raportit ka mungesën kronike të personelit të kualifikuar, veçanërisht psikiatërve, psikologëve dhe terapistëve të punës. KPT-ja vuri në dukje gjithashtu se kushtet e jetesës në spitalin e burgut të Tiranës mbeten të papërshtatshme për trajtimin e pacientëve mjeko-ligjorë femra. Më tej thekson se situata e të burgosurve të vendosur në “ambientet e përkohshme” në Lezhë është përkeqësuar më tej, veçanërisht për shkak të rritjes së vendosjeve nga 404 në 469 gjatë tre viteve të fundit. KPT-ja shtoi se kushtet e jetesës tani mund të përbëjnë trajtim çnjerëzor dhe degradues për shumicën dërrmuese të pacientëve meshkuj psikiatrikë mjeko-ligjorë. Qelia e tipit konvikt ishte e pajisur me krevate marinari ku akomodohen deri në 12 pacientë. Sipas tyre kji u lë më pak se 4 metra katrorë hapësirë jetese për pacient, duke përfshirë ata me aftësi të kufizuara të rënda fizike dhe shqisore. “KPT-ja njeh angazhimin e autoriteteve lokale për të përmirësuar kushtet, brenda kufijve të burimeve në dispozicion. Megjithatë, aftësia e tyre për të bërë përparim të vërtetë në trajtimin dhe kushtet e jetesës së njerëzve në kujdesin psikiatrik mjeko-ligjor është shumë e kufizuar nga mungesa e mbështetjes së konsiderueshme nga autoritetet qendrore në formën e politikave, legjislacionit dhe financimit. Në nivel qendror, trajtimi dhe kushtet e jetesës së njerëzve në kujdesin psikiatrik mjeko-ligjor nuk janë konsideruar si përparësi, pavarësisht premtimeve të bëra për këtë qëllim nga Ministrat e Shëndetësisë dhe Drejtësisë në fillim të vitit 2024. KPT-ja i nxit autoritetet shqiptare ta trajtojnë situatën e njerëzve në kujdesin psikiatrik mjeko-ligjor si përparësi dhe të adresojnë mangësitë e përshkruara në raportin e saj”, thuhet në raport.
