Lajme Zone
Buka me miell biskotash nga Serbia, ekspertët ngrenë alarmin: Produkt i cilësisë së ulët, bëhet me ngjyrues
EkonomiTop Channel

Buka me miell biskotash nga Serbia, ekspertët ngrenë alarmin: Produkt i cilësisë së ulët, bëhet me ngjyrues

Miell më i lirë, i destinuar për ëmbëlsira dhe biskota, përdoret edhe për prodhimin e bukës, ndërsa buka e zezë mund të marrë ngjyrën e saj nga ngjyruesit dhe jo nga mielli natyral me krunde.

Miell më i lirë, i destinuar për ëmbëlsira dhe biskota, përdoret edhe për prodhimin e bukës, ndërsa buka e zezë mund të marrë ngjyrën e saj nga ngjyruesit dhe jo nga mielli natyral me krunde. Këto janë disa nga problematikat që ngre eksperti i drithërave Abdyl Sinani, me një përvojë 40-vjeçare në këtë sektor.

Serbia zë vendin e parë për sasinë e drithërave të importuara në vendin tonë, ndërsa më shumë se 60% e grurit për konsum human ka si vend origjine këtë shtet.

Sipas Sinanit, problemi nuk qëndron tek origjina e grurit, por tek cilësia që zgjedhin fabrikat shqiptare. Ai thotë se tregtarët blejnë grurë me përqindje më të ulët gluteni dhe proteinash, i cili kushton më lirë, ndërsa mielli i prodhuar prej tij përdoret më pas edhe për bukë.

“Këtu ka një mashtrim apo falsifikim. Ne pranojmë miellin për ëmbëlsira me gluten të ulët dhe e përdorim për bukë, e më pas i hedhim aditivë që të bëhet i fryrë. Gjithmonë në tregun botëror ky grurë ka çmim më të ulët dhe prandaj e përdorin edhe për bukë”, thotë Abdyl Sinani.

Eksperti ngre shqetësimin edhe për mënyrën se si prodhohet buka e zezë. Sipas tij, në disa raste përdoret miell i bardhë, të cilit i shtohet ngjyrues për t’i dhënë pamjen e bukës së zezë.

“Ngjyrues përdorin te buka e zezë. E marrin këtë ngjyrues dhe te mielli i bardhë, që është rreze 70, i hedhin ngjyrues që e bën të errët”, shprehet Sinani.

Një tjetër problem që evidenton eksperti lidhet me kushtet e ruajtjes së grurit dhe miellit që vjen nga Serbia. Sinani thotë se ruajtja në kushte të papërshtatshme mund të favorizojë krijimin e mykotoksinave.

“Ka pasur shumë probleme për miellin që vjen nga Serbia, sepse nga ruajtja e keqe tek ai formohen mykotoksina që janë kancerogjene dhe kjo duhet parë dhe analizuar”, deklaron eksperti.

Sinani flet gjithashtu për probleme që mund të krijohen kur mielli nuk përpunohet siç duhet, duke përmendur raste në Lushnjë dhe Berat.

“Ka mundësi që mielli që nuk përpunohet tamam, atëherë të krijojë një sëmundje, atë të patates, dhe kjo ka ndodhur në Lushnjë, në Berat. Kjo bukë duhet hedhur, ose e rregullojnë duke i hedhur aciditet”, thotë ai.

Përballë këtyre problematikave, Sinani kërkon që gruri dhe mielli që hyjnë në Shqipëri të kontrollohen dhe analizohen, ndërsa ngre pikëpyetje për kontrollet e kryera nga institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Top Channel