Lajme Zone
BSH mban normën bazë në 2.5%, por sinjalizon rritje në të ardhmen
EkonomiBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

BSH mban normën bazë në 2.5%, por sinjalizon rritje në të ardhmen

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, por ka dhënë një sinjal të qartë se rritja e presioneve inflacioniste mund të kërkojë një shtrëngim të politikës monetare në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, por ka dhënë një sinjal të qartë se rritja e presioneve inflacioniste mund të kërkojë një shtrëngim të politikës monetare në të ardhmen. Në mbledhjen e 7 tetorit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në 1.5% dhe atë të kredisë njëditore në 3.5%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se qëndrimi aktual i politikës monetare konsiderohet ende i përshtatshëm, por rritja e inflacionit dhe rreziqet që lidhen kryesisht me zhvillimet ndërkombëtare kanë shtuar premisat për një reagim shtrëngues në të ardhmen. “Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet tona, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen”, deklaroi Sejko. Një reagim i tillë, nëse materializohet, do të nënkuptonte rritje të normës bazë të interesit. Banka e Shqipërisë nuk ka përcaktuar një moment për një lëvizje të mundshme, duke theksuar se vendimet e ardhshme do të varen nga të dhënat e reja për inflacionin, presionet inflacioniste, politika fiskale dhe ecuria e kursit të këmbimit. Sinjali vjen pasi inflacioni u përshpejtua gjatë verës. Në muajt korrik-gusht, inflacioni mesatar arriti në 3.3%, ndërsa rritja ishte disi më e shpejtë nga sa kishte parashikuar Banka e Shqipërisë.

Sipas Bankës Qendrore, presionet e reja kanë ardhur kryesisht nga jashtë, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës, energjisë, ushqimeve dhe lëndëve të tjera bazë në tregjet ndërkombëtare, të ndikuara edhe nga intensifikimi i tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

Në tregun vendas, rritja e inflacionit gjatë korrikut dhe gushtit u ndikua kryesisht nga karburantet dhe ushqimet e papërpunuara. Në drejtim të kundërt lëvizën çmimet e shërbimeve dhe qiratë, inflacioni i të cilave shënoi rënie.

Forcimi i lekut ka vijuar të frenojë një pjesë të presioneve që vijnë nga jashtë, por këtë herë nuk ka qenë i mjaftueshëm për të neutralizuar plotësisht rritjen e çmimeve ndërkombëtare dhe inflacionin te partnerët tregtarë. Për pasojë, inflacioni i importuar është rritur.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të rritet lehtë edhe gjatë dy tremujorëve të ardhshëm. Megjithatë, kjo rritje vlerësohet si e moderuar dhe e përkohshme. Duke filluar nga mesi i vitit 2027, inflacioni pritet të nisë një rënie graduale drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Presionet nuk vijnë vetëm nga jashtë. Tregu i punës vazhdon të jetë i shtrënguar dhe pagat po rriten me ritme të larta. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, norma e papunësisë zbriti pranë minimumit historik prej 8.3%, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.3%, ndërsa paga mesatare u rrit me 11.5%.

Ekonomia shqiptare, ndërkohë, vazhdon të ruajë ritme solide të rritjes. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.6% në tremujorin e dytë, i mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet. Ndërtimi dhe shërbimet vijuan të jenë sektorët kryesorë që mbështetën zgjerimin ekonomik, ndërsa industria dhe bujqësia vazhduan të tkurren.

Banka e Shqipërisë ka rishikuar në kahun pozitiv pritjet për aktivitetin ekonomik, duke vlerësuar se ritmi i rritjes në të ardhmen do të jetë disi më i lartë se në parashikimet e mëparshme.

Një rritje e fortë po vijon edhe në kreditimin e ekonomisë. Portofoli i kredisë për sektorin privat u zgjerua me 15.4% me bazë vjetore gjatë muajve korrik-gusht. Kredia po financon investimet e bizneseve, blerjen e banesave dhe konsumin e familjeve, ndërsa orientimi drejt monedhës vendase vijon të rritet.

Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të bankave është përmirësuar më tej. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në 3.7%, që sipas Bankës së Shqipërisë është niveli më i ulët i regjistruar që prej krizës financiare globale.

Pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë, Banka e Shqipërisë e sheh situatën ndërkombëtare si burimin kryesor të pasigurisë. Tensionet në Lindjen e Mesme mund të sjellin rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe produkteve bazë, duke ushtruar presion mbi inflacionin në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, mungesat e fuqisë punëtore dhe rritja e shpejtë e pagave përbëjnë një tjetër rrezik për çmimet.

Për momentin, norma bazë mbetet në 2.5%. Por mesazhi i mbledhjes së tetorit është më i kujdesshëm se më parë: nëse presionet mbi çmimet vazhdojnë ose intensifikohen, Banka e Shqipërisë lë të hapur mundësinë e rikthimit te rritja e normave të interesit. /ekofin.al © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb