Brukseli përballë SPAK e GJKKO Komisioni Europian e rendit Shqipërinë dhe Malin e Zi mes vendeve që kanë bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit. Por raporti evidenton një problem të madh për Shqipërinë: SPAK ka shtuar hetimet dhe çështjet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara në këto procedime mbetet shumë e ulët... Komisioni Europian ka vlerësuar pozitivisht punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit, duke e veçuar Shqipërinë së bashku me Malin e Zi nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, shifrat që publikon Brukseli tregojnë se goditja penale e korrupsionit dhe rikuperimi i pasurive të paligjshme nuk po ecin me të njëjtin ritëm.
Sipas raportit të Komisionit Europian, gjatë vitit 2025 SPAK dërgoi në gjykatë 34 çështje korrupsioni me 160 të pandehur. Dhjetë prej tyre lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë dhe përfshijnë 13 të pandehur.
Këto rezultate kanë bërë që Komisioni Europian ta vlerësojë SPAK-un si një strukturë që vazhdon të demonstrojë pavarësi dhe të prodhojë rezultate në hetimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Por në të njëjtin raport gjendet edhe një shifër që kërkon vëmendje të veçantë.
Gjatë vitit 2025, SPAK sekuestroi dhe konfiskoi pasuri me vlerë të përgjithshme 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, vetëm 1.2 milionë euro lidhen me procedimet për korrupsion të nivelit të lartë, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara në këto procedime arrin afërsisht 100 mijë euro. Pra, ndërsa SPAK ka çuar përpara hetime dhe akuza ndaj zyrtarëve të lartë, konfiskimi përfundimtar i pasurive në këto çështje mbetet në nivele shumë të kufizuara.
Komisioni Europian e konsideron të pakënaqshëm raportin ndërmjet pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara. Për këtë arsye kërkon përdorim më të gjerë të mekanizmave të konfiskimit të zgjeruar, përfshirë konfiskimin pa dënim penal, konfiskimin e pasurive në emër të personave të tretë dhe konfiskimin sipas vlerës.
Kjo është një çështje që shkon përtej statistikave të SPAK-ut. Hetimi dhe dërgimi i një zyrtari në gjykatë përbëjnë një fazë të procedimit penal, ndërsa vendimi përfundimtar dhe konfiskimi i pasurisë kërkojnë prova, vendimmarrje gjyqësore dhe zbatimin e mekanizmave ligjorë. Nëse procesi penal nuk arrin deri te rikuperimi i pasurive të përfituara nga korrupsioni, një pjesë e rëndësishme e objektivit të reformës mbetet e papërmbushur.
Për këtë arsye, raporti i Brukselit nuk kufizohet te numri i dosjeve që hap prokuroria apo i zyrtarëve që përballen me akuza. Ai kërkon rezultate që përfshijnë edhe konfiskimin e pasurive.
Në krahasim me Shqipërinë, situata në vendet e tjera të rajonit paraqitet ndryshe.
Komisioni Europian vlerëson se Serbia dhe Kosova kanë bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë shënuar përparim, thuhet në një artikull të Sofija Popoviç, të publikuar në EWB.
Në Serbi, numri i personave të dënuar përfundimisht për korrupsion të nivelit të lartë ra nga 31 në vitin 2023 në 16 gjatë vitit 2025. Komisioni Europian evidenton edhe pengesat ndaj Prokurorisë për Krimin e Organizuar, përfshirë mungesën e bashkëpunimit nga policia dhe largimin e 17 anëtarëve me përvojë nga grupi hetimor për shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. Edhe në Kosovë, numri i personave të dënuar me vendim përfundimtar për korrupsion të nivelit të lartë ra nga 38 në vitin 2024 në 17 gjatë vitit 2025. Ndërkohë, numri i personave ndaj të cilëve u ngritën akuza ra nga 91 në 34. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Komisioni Europian konstaton se autoritetet politike kanë penguar përparimin kundër korrupsionit. Sipas raportit, që prej vitit 2022 asnjë agjenci ligjzbatuese nuk i ka paraqitur Prokurorisë së nivelit shtetëror një raport për korrupsion të nivelit të lartë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, ndryshimet e Kodit Penal të janarit 2026 nuk arritën të korrigjonin problemet që krijuan ndryshimet e vitit 2023, përfshirë ato që lidhen me afatet e parashkrimit. Një krahasim tjetër vjen nga Ukraina dhe Moldavia, dy vende që morën statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian vetëm në vitin 2022.
Ukraina rriti numrin e personave të dënuar përfundimisht për korrupsion të nivelit të lartë nga 69 në vitin 2024 në 133 gjatë vitit 2025. Moldavia mori vlerësim pozitiv për përparimin, megjithëse 38 procedime për korrupsion të nivelit të lartë, me 85 persona të përfshirë, u ndërprenë për shkak të parashkrimit.
Këto të dhëna tregojnë se miratimi i ligjeve dhe ngritja e institucioneve të posaçme nuk mjaftojnë për të garantuar përfundimin e proceseve gjyqësore dhe rikuperimin e pasurive.
Pikërisht këtë problem trajton edhe rrjeti rajonal kundër korrupsionit SELDI, në raportin The Geoeconomics of State Capture: Reconciling Anti-Corruption and Strategic Imperatives in the Western Balkans.
SELDI kërkon që rezultatet e reformave të maten me numrin e akuzave për korrupsion të nivelit të lartë që përfjnë me dënime, kohëzgjatjen e proceseve dhe vlerën e pasurive të paligjshme që rikuperojnë institucionet.
Rrjeti propozon gjithashtu mbrojtjen e buxheteve të institucioneve kundër korrupsionit nga ndërhyrjet politike, mandate të paripërtëritshme për drejtuesit e tyre dhe kontroll parlamentar ku të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës.
Një tjetër rekomandim lidhet me kontrollin e pasurive të familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe kompanive të lidhura me zyrtarët publikë. SELDI kërkon gjithashtu mbylljen e hapësirave ligjore që lejojnë shmangien e konkurrencës në prokurimet publike përmes ligjeve të posaçme dhe marrëveshjeve ndërqeveritare.
Për Shqipërinë, raporti i Komisionit Europian sjell dy konstatime të qarta. SPAK ka fituar vlerësimin e Brukselit për pavarësinë dhe rezultatet në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë. Por konfiskimi i pasurive në këto procedime mbetet një dobësi që vetë Komisioni Europian kërkon ta korrigjojë.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet hetimit të korrupsionit dhe rikuperimit të përfitimeve të tij. Në vitin 2025, SPAK regjistroi rezultate në procedimet penale, por në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë vlera e pasurive të konfiskuara mbeti afërsisht 100 mijë euro.
Kjo është shifra që Brukseli vendos përballë rezultateve të tjera të SPAK-ut dhe që institucionet shqiptare duhet ta adresojnë në fazën tjetër të reformës. /Pamfleti/ shqiperia mali i zi serbia kosova bosnja maqedonia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Trafikuan 7.5 tonë drogë, GJKKO rrëzon kërkesën për lirimin e 4 anëtarëve të grupit të njohur kriminal 13 Nëntor 2026, 16:0416:04Aktualitet SPAK-u me dy standarde: 18 kryebashkiakë të proceduar, por 'beu' i Kamzës, Rakip Suli, mbetet i paprekur prej 4 vitesh 13 Nëntor 2026, 16:0116:01Aktualitet Nesër protesta kombëtare e studentëve, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve fton pedagogët t’i bashkohen 13 Nëntor 2026, 15:2515:25Aktualitet Rënia e Microsoft, autoritetet shqiptare paralajmërojnë qytetarët: Kujdes nga mesazhet që ju kërkojnë fjalëkalim! 13 Nëntor 2026, 14:2014:20Aktualitet Apeli lehtëson masën e sigurisë për Klevin Metajn, nga 'arrest shtëpie' në 'detyrim paraqitjeje' 13 Nëntor 2026, 13:3913:39Aktualitet SPAK merr në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave 13 Nëntor 2026, 13:3513:35Aktualitet

