Një ditë pas stuhisë së breshërit, pasojat në tokat bujqësore të Braçanjit dhe Dobranjit në Devoll janë të dukshme. Parcela të tëra me fasule janë dëmtuar rëndë, ndërsa në disa raste fermerët thonë se kanë humbur deri në 70% të prodhimit të tyre. Më e prekura është fasulja, e cila ishte në fazën e pjekjes dhe pritej të korrej së shpejti. Por dëmet nuk janë kufizuar vetëm te kjo kulturë. Breshëri ka goditur edhe qepët, domatet, specat, mollët, dardhat dhe kultura të tjera. Fermerët tregojnë se brenda pak minutash puna e muajve u dëmtua, ndërsa shqetësimi i tyre tashmë është edhe për prodhimin që ka mbetur në parcela. Kjo është stuhia e dytë që prek zonën brenda pak javësh. Fermerët thonë se edhe një muaj më parë u përballën me të njëjtën situatë, ndërsa kërkojnë që institucionet ti mbështesin. Kryeplaku i Dobranjit, Petrika Zyfi, thotë se rreth 50 fermerë janë prekur nga breshëri, ndërsa fasulja është kultura që ka pësuar dëmet më të mëdha. Ndërkohë, Bashkia Devoll ka nisur verifikimet në terren. Deri tani janë evidentuar rreth 40 hektarë tokë bujqësore të dëmtuar, me një nivel mesatar dëmi prej rreth 40%. Vetëm në Dobranj janë konstatuar rreth 30 hektarë me fasule, ku dëmi vlerësohet nga 50 deri në 60%.
Inspektimet do të vijojnë gjatë tre ditëve të ardhshme për të përcaktuar më saktë sipërfaqet dhe nivelin e dëmit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: bresheri devoll
