Reforma territoriale që do të votohet në seancën e sotme plenare në Kuvend prodhoi qëndrime dhe mendime të ndryshme në studion e ‘Top Story’ Analisti Alban Dudushi tha se opozitën e vërtetë në të gjithë diskursin e sotëm në Kuvend për reformën territoriale e bëri Braçe, i cili sipas tij ishte i vetmi që ngriti si problem funksionimin e bashkive dhe jo numrin.
“Përmbajtja sot ishte te Braçe, ai ishte që nuk merrej me kalkulim, pra ka rëndësi se çfarë bëjnë këto bashki jo numri.
Debati i opozitës është që kemi propozuar 100, pra duan rritje numri, kaq.
Pjesa më e madhe e bashkive qe do shkrihen, kanë qenë të administruara nga PS, jo nga PD.
Nëse është bërë harta, pa caktuar kompetencat siç tha Brace atëherë këtu është problemi, jo te numrat”, tha Dudushi.
Gazetari Bledian Koka shprehu se është e qartë që reforma nuk është territoriale, por politike. Sipas tij fakti që për dy vite në të cilat është diskutuar ‘Territorialja’ nuk ka patur debat për kompetencat në këto bashki të reja, është absurde.
“Që kjo nuk është reformë territoriale, por është politike është e thjeshtë ta kuptosh.
Ka dy vite që kanë harxhuar kohën dhe lekët dhe s’kanë caktuar kompetencat.
Si ka mundësi që nuk bënë një debat nga dështimi i reformës së dështuar të vitit 2015
Ujin e menaxhonte Belinda, lejet e ndërtimit, Rama, ose i shkrijmë dhe të bëjmë bashkinë e Surrelit, ose të bëjmë bashki reale që kanë funksion. Pra kjo reformë ka vetëm qëllime politike, të tjerat janë përralla, në këtë rast qytetarët humbin.
Na del sot Balla dhe thotë se javën tjetër do të ndahen kompetencat”, u shpreh Bledi Koka.
Analisti pati një qëndrim ndryshe, ai shprehu se priste që “Territorialja” do të ishte e vetmja pikë ku mazhoranca dhe opozita do të bashkoheshin, por që sipas tij në fund doli një luftë numrash.
“Po edhe ky moment që ndodhi është një nga stacionet e radhës së absurdit që prodhon politika shqiptare. Dukej se reforma territoriale do të ishte e vetmja pikë ku pozita dhe opozita do të duhej të binin dakord, për shkak të qëndrimit që ato kanë ndaj reformës së 2014-s. Të dyja e quajnë atë të papranueshme dhe kanë nevojë të tejkalohet. Pozita e konsideron si një sukses, i cili duhet të çohet më tej, opozita e konsideron si një dështim që duhet të zhbëhet. Diferenca mes të dyja palëve është vetëm te numri i bashkive që do të bëhen: 46 socialistët, 100 demokratët. Duket se të dyja palët nuk i kanë sqaruar ende: pse pikërisht këto shifra? Dhe ndoshta përgjigjja për një gjë të tillë jepet sepse të dyja palët, sërish, e kanë mendjen te probabiliteti, si një paradhomë e zgjedhjeve lokale të vitit tjetër. Pra, këto janë paradhoma, prologu i zgjedhjeve lokale të 2027”, u shpreh Vangjeli. Top Channel

