Lajme Zone
Bota si plaçkë lufte: Pse Trump-Putin-Xi nuk janë si treshja e dikurshme Çërçill-Ruzvelt-Stalin
PolitikëPamfleti

Bota si plaçkë lufte: Pse Trump-Putin-Xi nuk janë si treshja e dikurshme Çërçill-Ruzvelt-Stalin

Si komunist, Xi Jinping duhet ta njohë mirë thënien e Karl Marksit se ngjarjet dhe personazhet e mëdha historike shfaqen dy herë: herën e parë si tragjedi dhe të dytën si farsë.

Takimi në Shenzhen mes Putinit, Trump dhe Xi Jinping ngjall fantazmën e Jaltës së vitit 1945, kur fituesit e Luftës së Dytë Botërore përcaktuan fatin e rendit ndërkombëtar. Por, ndryshe nga paraardhësit e tyre, tre udhëheqësit e sotëm nuk kanë as fuqinë dhe as mundësinë për ta ndarë botën sipas interesave të tyre... Si komunist, Xi Jinping duhet ta njohë mirë thënien e Karl Marksit se ngjarjet dhe personazhet e mëdha historike shfaqen dy herë: herën e parë si tragjedi dhe të dytën si farsë.

Takimi i kësaj jave mes Xi Jinpingut, Donald Trampit dhe Vladimir Putinit është cilësuar gjerësisht si një përsëritje e konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku Uinston Çërçilli, Frenklin Ruzvelti dhe Josif Stalini u mblodhën për të diskutuar rendin e ri botëror. Por, a janë Xi, Trampi dhe Putini tre të mëdhenjtë e rinj? Dhe a do të përfjë takimi i tyre në tragjedi apo në farsë?

Kur në skenë është Trump, mundësia e një farse nuk është asnjëherë e vogël. Në të njëjtën vepër ku Marksi formuloi thënien e tij të famshme për tragjedinë dhe farsën, ai përshkroi edhe rrethanat që mundësojnë që një mediokritet grotesk të luajë rolin e heroit. Në atë rast, i referohej Napoleonit III, perandorit të Francës.

Megjithatë, nga samiti i Shenzhenit mund të rezultojë edhe një skenar me pasoja tragjike. Në rastin më të keq, tre udhëheqësit mund të bien dakord të njohin atë që secili e konsideron si “interes jetik” të tjetrit, një formulim që përdoret shpesh nga diplomacia kineze.

Kjo mund të nënkuptojë pranimin e pikëpamjes së Moskës për luftën në Ukrainë dhe të Pekinit për të ardhmen e Tajvanit. Në këmbim, Trump mund të sigurojë mbështetje për qëndrimin amerikan ndaj Iranit ose disa përfitime ekonomike, që mund t’i paraqesë si fitore për Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, kohëzgjatja e shkurtër dhe formati i takimit, e bëjnë pak të mundshme arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme. Madje, për arsye të ndryshme, të tre udhëheqësit mund të kënaqen edhe vetëm me simbolikën e një fotografie të përbashkët.

Putini është përndjekur prej kohësh nga frika se Rusia po e humbet statusin e saj si fuqi e madhe botërore. Ish-presidenti amerikan Barak Obama e kishte përshkruar dikur udhëheqësin rus si një nxënës të mërzitur, që rri në fund të klasës gjatë takimeve ndërkombëtare.

Për këtë arsye, një fotografi ku presidenti rus shfaqet përkrah udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dy fuqive më të mëdha të botës, do të përbënte një fitore të rëndësishme simbolike për të.

Edhe për Xi Jinping-un, simbolika e pushtetit ka rëndësi të veçantë. Ai e ka vendosur “rilindjen e madhe të kombit kinez” në qendër të projektit të tij politik dhe synon qartazi të sigurojë një mandat të katërt në krye të Partisë Komuniste vitin e ardhshëm.

Legjitimiteti i tij brenda Kinës dhe imazhi që ka krijuar në arenën ndërkombëtare janë të lidhura ngushtë midis tyre. Të dyja mund të përforcohen nga një fotografi samiti, ku Xi shfaqet si mikpritës i fuqishëm, në qendër të vëmendjes, duke pasur në krah presidentët amerikanë dhe rusë

Edhe Trump mund ta shfrytëzojë këtë takim për të rikthyer imazhin e fuqisë dhe autoritetit në skenën ndërkombëtare, veçanërisht pas goditjes që pësoi në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, qeveria kineze është mjeshtre në përkëdheljen e egos së udhëheqësve të huaj që vizitojnë vendin.

Sigurisht, ekziston gjithmonë mundësia që një takim i menduar fillimisht për fotografi dhe gjeste simbolike të prodhojë edhe rezultate konkrete, sidomos nëse bisedimet zgjasin më shumë nga sa është parashikuar.

Putini mund të përpiqet ta vendosë Ukrainën në qendër të diskutimeve. Nga ana e tij Trump, ka treguar se pas bisedave me presidentin rus priret të afrohet me qëndrimet e Moskës për luftën. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me Tajvanin.

Pas takimeve të mëparshme me Xi Jinping, Trump ka përsëritur argumente të përdorura nga diplomacia kineze. Për shembull, në maj ai i paralajmëroi autoritetet tajvaneze të mos ndërmerrnin hapa drejt pavarësisë që mund të destabilizonin situatën.

Por deklaratat e Trumpit janë aq të paparashikueshme dhe të ndryshueshme, saqë nuk kanë të njëjtën peshë si qëndrimet e presidentëve të mëparshëm amerikanë. Edhe nëse në Shenzhen bën ndonjë lëshim të papritur, këshilltarët dhe aleatët e tij mund të përpiqen ta zbusin ose ta relativizojnë atë më pas.

Trumpi ka deklaruar gjithashtu se dëshiron të diskutojë çështjen e çarmatimit bërthamor. Kjo është një temë me rëndësi të veçantë, pasi traktatet kryesore për kontrollin e armëve bërthamore kanë skaduar. Për Rusinë, çështja është veçanërisht e rëndësishme.

Arsenali i saj bërthamor, më i madhi në botë, mbetet një nga argumentet e pakta që i kanë mbetur për të pretenduar statusin e një superfuqie. Por Kina, e cila po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj, ndonëse ai mbetet shumë më i vogël se ai amerikan dhe rus, e ka bërë të qartë se për momentin nuk është e interesuar të negociojë kufizimin e armëve bërthamore.

Prandaj, edhe në këtë drejtim, nuk pritet ndonjë përparim i rëndësishëm. Në përgjithësi, diplomacia kineze nuk i pëlqen diskutimet e lira dhe rezultatet e paparashikuara. Xi preferon t’i përmbahet me përpikëri një skenari të përgatitur paraprakisht.

Edhe kjo është një arsye tjetër, pse takimi trepalësh në Shenzhen vështirë se do të prodhojë vendime që mund të tronditin rendin botëror. Por arsyeja kryesore pse krahasimi me takimin e tre të mëdhenjve në vitin 1945 është i gabuar, shkon përtej personaliteteve të udhëheqësve. Bota e sotme është krejtësisht e ndryshme nga ajo e tetë dekadave më parë. Në Jaltë, Çërçilli, Ruzvelti dhe Stalini u takuan në kulmin e një lufte botërore që po ndryshonte rrënjësisht rendin ndërkombëtar.

Forcat britanike dhe amerikane kishin depërtuar tashmë në territorin gjerman, ndërsa ushtrisë sovjetike i duheshin më pak se tre muaj për të mbërritur në Berlin. Shteteve të Bashkuara u kishin mbetur vetëm 6 muaj deri në hedhjen e bombës së parë atomike.

Në të kundërt, tre udhëheqësit e sotëm kanë shumë më pak mundësi për t’ia imponuar vullnetin e tyre pjesës tjetër të botës. Shtetet e Bashkuara nuk arritën ta mposhtin Iranin, ashtu siç dështuan më parë të mposhtnin talebanët në Afganistan. Pas më shumë se 4 vitesh lufte të përgjakshme, një periudhë edhe më e gjatë se koha që iu desh Stalinit për të mbërritur në Berlin, forcat e Putinit vazhdojnë të jenë të bllokuara në lindje të Ukrainës.

Ndërsa Xi Jinping ende nuk ka gjetur një mënyrë për ta vënë nën kontroll Tajvanin, ishullin me 23 milionë banorë që ndodhet vetëm rreth 160 kilometra larg brigjeve të Kinës. Për fat të mirë, nuk jetojmë më në një kohë kur tri fuqitë e mëdha mund t’u diktojnë kushtet të gjitha vendeve të tjera dhe të vendosin të vetme fatin e botës./Pamfleti nga “Financial Times”bota si plaçkë lufte trump putin xi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Incident para parlamentit serb, deputetes së partisë së Vuçiçit i hedhin një bidon me kos në kokë (Video) 17 Nëntor 2026, 12:0512:05Rajoni dhe Bota Kongresi amerikan kërcënon armëpushimin tregtar SHBA-Kinë, si ndikon skandali Jensen Huang 17 Nëntor 2026, 11:2311:23Rajoni dhe Bota Aksident i rëndë hekurudhor në Pragë, përplasen dy trena pasagjerësh, dhjetëra të plagosur 17 Nëntor 2026, 11:1511:15Rajoni dhe Bota Serbia konstituon sot Kuvendin e ri, zgjedhja e kryetarit vendos edhe kush do të jetë president në detyrë 17 Nëntor 2026, 10:4610:46Rajoni dhe Bota Rusia, Arabia Saudite dhe Australia, tre eksportuesit më të mëdhenj të dioksidit të karbonit në histori 17 Nëntor 2026, 10:4110:41Rajoni dhe Bota Papa Leo i thotë "Jo" propozimi për lejimin e martesës së priftërinjvë katolikë 17 Nëntor 2026, 10:3010:30Rajoni dhe Bota