Ervin Mata ka humbur një tjetër betejë ligjore në Brazil, në përpjekje për të shmangur ekstradimin drejt Shqipërisë. Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka rrëzuar ankimin e dytë të mbrojtjes, duke mbyllur një tjetër etapë të kundërshtimeve gjyqësore ndaj ekstradimit të tij.
Vendimi është marrë më 20 tetor 2026, në mënyrë unanime nga trupi i parë i gjykatës, me relator ministrin Alexandre de Moraes. Sipas arsyetimit të gjykatës, mbrojtja nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje vendimin e mëparshëm që miratonte ekstradimin e Matës drejt Shqipërisë.
Avokatët e tij kishin kundërshtuar vendimin duke ngritur pretendime që lidhen me kërkesën për azil në Brazil, një hetim policor në këtë vend dhe kompetencën juridiksionale të autoriteteve shqiptare. Megjithatë, këto argumente nuk bindën gjykatën për të rihapur çështjen.
Me këtë vendim, mundësitë për të kundërshtuar në këtë fazë gjyqësore ekstradimin e Matës janë ngushtuar më tej. Gjykata ka urdhëruar certifikimin e vendimit si të formës së prerë, pa pritur publikimin zyrtar.
Megjithatë, ekstradimi i tij drejt Shqipërisë nuk është ende automatik. Për realizimin e dorëzimit nevojiten edhe procedura të tjera në Brazil, përfshirë vlerësimin nga Presidenti i vendit dhe formalizimin nga pala shqiptare të angazhimeve të kërkuara nga legjislacioni brazilian.
Vendimi i fundit përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin e ekstradimit të Ervin Matës, por koha dhe realizimi përfundimtar i kthimit të tij në Shqipëri mbeten të varura nga përfundimi i procedurave që u takojnë autoriteteve përkatëse braziliane.

