Ka nisur prej disa orësh marshimi i studentëve, të cilët tashmë kanë mbërritur në brendësi të Fakultetit të Ekonomikut, aty ku, sipas pamjeve, në disa auditore po zhvillohej mësim. Sipas pamjeve, studentët thërrasin në kor: “Bashkohuni me ne!”, “Rama, jep dorëheqjen!”, “Arrestoni Ramën!”, “Nuk ka dialog me ty!” dhe “Bojkotoni mësimin!”. Menjëherë pas thirrjeve, studentët që po zhvillonin mësim i janë bashkuar protestës dhe kanë lënë mësimin. Gjatë marshimit është shtuar gjithashtu numri i studentëve, të cilët janë bashkuar me protestuesit dhe janë futur në fakultet. Sipas gazetares së Euronews, Enkelejda Mema, pas daljes nga Fakulteti i Ekonomikut, studentët do të vijojnë marshimin drejt Fakultetit të Drejtësisë. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama, ashtu si ditët e tjera, ka vijuar me thirrjen e tij për dialog, por kjo e fundit është refuzuar nga studentët.
