Ish-Presidenti Ilir Meta ka bërë një reagim në Facebook për konfliktin ndërmjet GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Meta shkruan se bojkoti i avokatëve po zvarrit dhe po cenon proceset ligjore. Sipas tij situata bëhet më e rëndë me heshtjen e Kuvendit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ai thotë se kjo cënon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore.
Meta e mbyll reagimin duke thënë se "Rama ka vendosur një “Drejtësi me Regji”, gjë që i përshtatet narkodiktaturës së vetme të instaluar në Europë"
Postimi i plotë: Vazhdimi i konfliktit të qëllimshëm GJKKO e Shkallës së Parë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë vazhdon të sjellë pasoja shumë të rënda me zvarritjen e proceseve gjyqësore, të cilat cënojnë, jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore, si edhe cenojnë rëndë mbrojtjen efektive të qytetarëve të përfshirë në këto procese.
Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë kur Kuvendi jo vetëm që ka dy muaj që hesht dhe bën sikur nuk shikon, por edhe të vetmen nismë ligjore të ndërmarrë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, në datë 14 tetor 2026, e refuzoi më datë 22 tetor 2026 ta përfshijë në kalendarin e punimeve.
Po kështu, heshtja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, prej dy muajsh, cënon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore.
Heshtja dhe mosreagimi i çdo aktori institucional që ka përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një konflikt me regji politike në interes vetëm të Edi Ramës dhe organizatës që ai drejton.
Natyrisht, ky konflikt me regji, është vijim i telenovelës "Drejtësi me Regji", e cila ka asgjësuar prej kohësh shtetin e së drejtës me qëllim instalimin e Narkodiktaturës të vetme në Europë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

