Qarkullimi në aksin Tiranë-Durrës dhe Durrës-Tiranë do të kufizohet përkohësisht gjatë tri netëve të para të shtatorit, për shkak të punimeve që po kryhen për mbikalimin e ri të Kasharit.
Kufizimet do të jenë në fuqi më 1, 2 dhe 3 shtator 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Gjatë këtij intervali do të punohet për montimin e trarëve metalikë në pjesën qendrore të mbikalimit, në kuadër të projektit për zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës.
Për të shmangur ndërprerjen e plotë të qarkullimit, automjetet do të orientohen në rrugët dytësore dhe akset alternative.
Në drejtimin Tiranë-Durrës, automjetet do të kalojnë përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës në drejtim të Durrësit.
Ndërkohë, mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, do të devijohen që në nyjen “Casa Italia” dhe do të vijojnë lëvizjen nëpërmjet rrugës dytësore.
Në drejtimin Durrës-Tiranë, automjetet do të orientohen përmes mbikalimit Kashar-Thumanë dhe më pas do të vijojnë në rrugën dytësore, për t'u rikthyer në autostradë pasi të kalojnë mbikalimin e Kasharit.
Për automjetet që kanë destinacion Rinasin, Shkodrën apo Kosovën, devijimi do të bëhet që në mbikalimin Kashar-Thumanë, nga ku do të vijojnë në drejtimet përkatëse.
Gjatë punimeve do të vendoset sinjalistikë e përkohshme dhe drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e personelit që do të menaxhojë qarkullimin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, nëse është e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orarit të punimeve.

