Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka dal këtë të shtunë në një deklaratë për mediat pas incidentit gjatë protestës në Tiranë, ku një ambulancë u bllokua nga disa protestues. QKUM sqaron se Urgjenca Mjekësore dhe ambulancat kanë një mision të vetëm, ofrimin e ndihmës mjekësore dhe shpëtimin e jetëve, duke i ardhur në shërbim çdo qytetari dhe se pengimi rrezikon jetën e tyre. Përmes deklaratës, QKUM u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ambulancat, të mos pengojnë lëvizjen e tyre dhe të mos cenojnë punën e personelit mjekësor. Sipas QKUM-së, ambulancat duhet të lejohen të përmbushin misionin e tyre në çdo rrethanë. Reagimi i plotë i QKUM: Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore sqaron se ambulancat dhe ekipet e saj kanë një mision të vetëm: ofrimin e ndihmës mjekësore dhe shpëtimin e jetëve. Ato janë në shërbim të çdo qytetari që ka nevojë për kujdes urgjent, pa asnjë dallim. Gjatë protestave, ekipet e Urgjencës Mjekësore janë në gatishmëri për t’u përgjigjur çdo rasti që kërkon ndërhyrje, ndërkohë që vijojnë të përballojnë të gjitha urgjencat e tjera mjekësore. Në Tiranë, përveç fluksit të zakonshëm prej rreth 250–280 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë. Në këto kushte, çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, çdo vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik. QKUM u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë ambulancat, të mos pengojnë lëvizjen e tyre dhe të mos cenojnë punën e personelit mjekësor. Ambulancat duhet të lejohen të përmbushin misionin e tyre në çdo rrethanë. Çdo pretendim për përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse. Ambulancat janë në shërbim të jetës. Mos i pengoni. Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë. QENDRA KOMBËTARE E URGJENCËS MJEKËSORE
