Lajme Zone
Blendi Gonxhja i fton turistët të vizitojnë varrezat e Tufinës
PolitikëJOQ Albania

Blendi Gonxhja i fton turistët të vizitojnë varrezat e Tufinës

Nga Ministria e së Vërtetës.

Nga Ministria e së Vërtetës.

Pasi vendi shënoi një tjetër sukses rekord në promovimin e turizmit me vrasjen e radhës të një turisti të huaj në plazhet elitë të Ksamilit, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, doli sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp për të prezantuar paketën më të re turistike: "Turi i Tufinës".

Sipas ministrit, vizita në varrezat publike të kryeqytetit përfaqëson kulmin e sigurisë kombëtare dhe një hap strategjik për diversifikimin e ofertës turistike. “Kemi vënë re se turistët që zgjedhin plazhet tona premium me pesë yje kanë një tendencë të çuditshme për t'u kthyer mbrapsht në atdhe me arkivol ose me kaçavida në kraharor,” deklaroi Gonxhja duke buzëqeshur me optimizëm. “Prandaj vendosëm t'u paraprijmë gjërave. Te Varrezat e Tufinës, siguria është 100% e garantuar. Nuk ka kamarierë që të sulmojnë me thika, nuk ka bodigardë që fusin autorin në bagazh dhe, mbi të gjitha, të gjithë klientët aty janë plotësisht të qetë.” Plani i ri strategjik parashikon që çdo turisti që zbret në Rinas t'i dhurohet një hartë e Tufinës si dhe lehtësim të procedurave burokratike në rast "incidenti të vogël me thikë" gjatë qëndrimit në jug të vendit.

Qeveria po mendon gjithashtu t'i vendosë çadrave të plazhit në Ksamil dhe Dhërmi etiketa të reja sigurie: "Përdoreni me riskun tuaj – Ministria e Turizmit nuk garanton që do të dilni gjallë deri në darkë."

I pyetur nëse kjo strategji do të largojë të huajt, ministri u shpreh i bindur për të kundërtën: “Turizmi i aventurës ekstreme është në rritje. Nëse mbijeton një javë në plazhet shqiptare pa u përfshirë në ndonjë sherr me rojet e lokalit, merr automatikisht një certifikatë mbijetese nga Qeveria!”