Biznesmeni Orest Sota, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “Aruba”, ka përfunduar në Spitalin e Burgut pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shqyrtuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, por ka vendosur të lërë në fuqi masën “arrest në burg”.
Mbrojtja e Sotës kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar gjendjen e tij shëndetësore dhe pretenduar mungesën e provave që e lidhin me veprimtarinë kriminale. Megjithatë, trupa gjykuese vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, nuk janë bërë publike detaje mbi problemet shëndetësore që çuan në transferimin e tij në Spitalin e Burgut.
Orest Sota u arrestua në qershor në kuadër të operacionit të SPAK për dosjen “Aruba”, hetim që lidhet me një organizatë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Vendimi i Apelit la në fuqi masën e sigurisë edhe për persona të tjerë nën hetim, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë.
Sota u bë i njohur në media në 2017 pasi u kap me mbi 800.000 € cash në makinën e tij Range Rover dhe po ashtu me dy patenta skafi të ish-ministrit Saimir Tahiri gjatë një kontrolli policor.
Atij iu sekuestrua shuma e kapur por më pas iu rikthye me argumentimin se paratë ishin të deklaruara pasi rridhnin si rezultat i veprimtarisë tregtare të kompanisë “IKONA”, Sh.p.k. Çështja më pas u mbyll nga gjykata e Elbasanit.
Ai është biznesmen dhe pronar i kompanisë së ndërtimit "Eco Construction & Partners”, FORTIS BETON CO. Rikujtojmë se Sota i bleu kompaninë e birrës vëllait dhe babait të Alqi Bllakos, "ALNED 91”, për vlerën e 100 mijë lekëve të vjetra.
