Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027, duke konfirmuar se biznesi i vogël do të vijojë të mos tatohet deri në vitin 2029. Ai foli gjithashtu për uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe ndryshimet në taksën e qarkullimit të automjeteve.
“Ndërkohë që për pjesën e pagës mbi 700.000 lekë, ne shkojmë me një normë taksimi në 30% që është kombinimi faktikisht i të dyjave, i 15% të fitimit të kompanisë me 15% e dividendit, pra fitimit personal, në mënyrë që duke forcuar progresivitetin e sistemit të mbyllim shtigje të evazionit fiskal dhe të mos i lejojmë ata që janë pronarë kompanish që të shfaqen si rrogëtar apo si biznes i vogël dhe ruajmë zotimin tonë të tatimit zero, mbi fitimin për biznesin e vogël, deri në vitin 2029. Kemi thënë që do të jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë që deri në 2029 nuk do ta tatojmë biznesin e vogël dhe i qëndrojmë 100% këtij zotimi.
Ndërkohë që patjetër për të forcuar formalizimin, për të mos lejuar që biznesi i vogël rëndom të përdoret si një shteg për të mëdhenjtë që të shmangin detyrimet e tyre, ne do ta ulim pragun e regjistrimit të TVSH-së në 5 milion lekë xhiro vjetore dhe kush e konsideron këtë një taksë mbi biznesin e vogël duhet të rishikojë formimin e vetë dhe duhet të rishikojë edhe njëherë atë kumtimin tim të përsëritur këtu ‘’mos i bëni shqiptarët për budalllenj sepse pastaj kur vjen dita e hesapit, hesapin do ta keni më të kripur’’ dhe kështu ka ndodhur në çdo zgjedhje dhe kështu do të ndodhë përsëri në 9 maj”, tha ai. Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi edhe pensionistët, duke ironizuar opozitën për mënyrën se si, sipas tij, ajo paraqet llogaritjet për pensionet.
“Duam ta ulim çmimin në pompë me 32 lekë për litër duke e zhvendosur taksën tek automjeti dhe faktikisht duke e lidhur më drejtpërdrejtë edhe me karakteristikat e automjetit. Pra këtë e kemi sqaruar dhe ri sqaruar, por përfundimisht duke qenë se ekonomia na jep mundësinë, duke qenë se të ardhurat na japin mundësinë, kemi rënë dakord që mos vazhdojmë të përpiqemi të bindim njerëzit se perceptimi i tyre është i gabuar, por t’i hapim rrugë atij perceptimi duke faktikisht e bërë çmimin e karburantit në Shqipëri njësoj si në vendet e tjera të rajonit dhe pastaj duke kaluar detyrimin për të paguar taksën e qarkullimit të makinës në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Publik.
Këtë reformë së bashku me vetë buxhetin në tërësi, ne e ndërmarrim sot edhe në emër të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë, të lehtësimit të mëtejshëm për të ecur më shpejt makineria e ekonomisë, sepse le të marrim për shembull koston e karburantit, ajo nuk prek vetëm atë që ka një makinë, po prek shumë më tepër se kaq. Ashtu sikundër dhe ulja e TVSH-së së shportës apo edhe ndryshimi i pragut për shtresën e mesme, përveçse lehtësojnë drejtpërdrejtë ato kategori të cilat targetojnë, do të sjellin më shumë konsum dhe do të sjellin përsëri mbrapsht në ekonominë e përbashkët më mirë dhe patjetër hap pas hapi më shumë.
Më lejoni të vij tek pensionistët sepse nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meritojnë të ndjejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, pa diskutim është kategoria e pensionistëve. Këtë e them me vetëdijen e plotë të kësaj shumice qeverisëse. Këtë e them në emër edhe të të gjithëve ju, sepse në mënyrë të vazhdueshme, njësoj si unë dhe të gjithë ju, ndesheni me këtë nevojë të brendshme që vjen si rezultat i një marrëdhënie të patjetërsueshme të kësaj partie me atë këtë kategori e cila të mos e harrojmë sa më shumë kalon koha, aq më shumë mbetet një kategori më vete për sa i përket lapsit, sepse pensionistët akoma vazhdojnë t’i besojnë lapsit dhe t’i besojnë llogarisë dhe këta honxho-bonxhot këtu kujtojnë se mund t’i torrolisin pensionistët me llogaritë e tyre kokë poshtë, por ja që pensionistët e dinë më mirë se kushdo se çdo të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që del nga mundi.
Prandaj ndërkohë që realiteti i tyre mbetet i vështirë, ndërkohë që ka shumë pensionistë që jetojnë me pak, ndërkohë që ka pensionistë që kanë punuar një jetë tërë dhe jo vetëm kanë rritur fëmijët në mënyrë dinjitoze dhe kanë mbajtur familjen, por kanë kontribuar për vendin shumë e shumë herë më tepër sesa shumëkush nga këta që ikën dhe nga plot të tjerë që kanë ikur më parë, ne nuk mundet dot të mbetemi tek entuziazmi legjitim për rritjen ekonomike apo për trefishimin ekonomikisht të Shqipërisë, nëse nuk i qëndrojmë një për një detyrimit tonë ndaj tyre, ndaj pensionistëve, por si të gjitha të tjerat edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por rriten me ekonomi dhe falë rritjes ne jemi në gjendje të vazhdojmë atë që kemi nisur.
Nga 1 janari, të dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës me dyfishim dhe dyfishim dhe dyfishim, krahasimisht me vitin e parë që është ky i këtij procesi dhe kështu janë 20 miliardë ose rreth 200 milion euro në këtë buxhet që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët.
Ndërkohë që indeksimi afrohet në muajin prill dhe për të është një fond shtesë prej 4 miliardësh ose 40 milionë eurosh. Me një sistem që në fund të vitit 2027 do ta prekë tavanin e 800.000 pensionistëve, është e domosdoshme që ne të mbetemi deri në fund besnikë të kësaj kategorie, duke bërë gjithçka që çfarë nxjerr ekonomia të rishpërndahet në mënyrë sa më të drejtë duke filluar nga ata dhe kjo është beteja jonë, të rrisim ekonominë duke rritur investimet dhe duke vazhduar të rrisim fuqinë e atyre që vijën pas nesh sepse janë dy kategori sot që gjenden në një pozitë delikate, pensionistët nga njëra anë dhe më të rinjtë nga ana tjetër.
Për këtë arsye sot unë jam shumë i lehtësuar nga fakti që parlamenti do të kalojë dhe një ligj të ri, që është ligji i asaj reforme të strehimit që ne e prezantuam në programin tonë qeverisës në fushatën e vitit 2025. Një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit.
Një ligj ku ne nuk flasim vetëm për strehimin social, por edhe për strehimin e përballueshëm, nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër por edhe ata që janë të rinj, sepse ne nuk mund ta pranojmë si një normalitet të pandryshueshëm që një çift i ri ku të dy punojnë, të dy kontribuojnë me taksat e tyre nga puna, të dy përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta ketë gjithnjë më të vështirë të sigurojë një çati mbi kokë. Këtë ne nuk mund ta pranojmë.
“, tha Rama ndër të tjera. Top Channel

