Lajme Zone
Bizneset kundër Paketës Fiskale 2027 të qeverisë: 85 mln euro barrë shtesë nga taksat, goditen investimet dhe punësimi
EkonomiTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Bizneset kundër Paketës Fiskale 2027 të qeverisë: 85 mln euro barrë shtesë nga taksat, goditen investimet dhe punësimi

Rritja e tatimit mbi fitimin në 17%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% dhe ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë kundërshtohen nga përfaqësuesit e biznesit.

Rritja e tatimit mbi fitimin në 17%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% dhe ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë kundërshtohen nga përfaqësuesit e biznesit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Pro Export Albania paralajmërojnë se ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027 do të rrisin barrën mbi sipërmarrjen, në një kohë kur bizneset po përballen me kosto të larta dhe zhvlerësimin e euros.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë sqaron se mbështet uljen e TVSH-së në 6% për produktet bazë të shportës ushqimore, një masë që thotë se e ka kërkuar prej vitesh. Por kundërshton që lehtësimi për shportën të shoqërohet me rritje të tjera taksash për biznesin dhe konsumatorët.

Sipas Dhomës, me tatimin mbi fitimin në 17% dhe TVSH-në standarde në 21%, Shqipëria do të renditej mes vendeve me normat më të larta në Ballkanin Perëndimor. Kundërshtime ka edhe për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, për të cilën Dhoma argumenton se do të rëndojë mbi fitimin e riinvestuar dhe kapitalin vendas.

Një tjetër pikë e kundërshtuar është rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%. Sipas Dhomës së Tregtisë, masa vjen në një moment të papërshtatshëm për sektorin, për shkak të rënies së euros dhe faktit që kontratat për sezonin 2027 po nënshkruhen me çmime fikse.

Dhoma kundërshton gjithashtu uljen e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë. Sipas saj, kjo masë do të prekë dyqanet, zejtarët dhe shërbimet e lagjeve, shumë prej të cilëve fitojnë sa një pagë mesatare, duke krijuar rrezikun që një pjesë e biznesit të vogël të shtyhet drejt informalitetit.

Përfaqësuesit e biznesit ngrenë shqetësime edhe për mënyrën se si po hartohet Paketa Fiskale. Dhoma e Tregtisë Tiranë, thotë se më 9 tetor i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit propozimet dhe rekomandimet e komunitetit të biznesit, por nuk ka marrë përgjigje. Sipas saj, bizneset e kanë mësuar përmbajtjen e paketës nga media dhe nuk është zhvilluar asnjë takim konsultues me organizatat e tyre.

“Biznesi nuk duhet të informohet pasi politika fiskale është hartuar. Biznesi duhet të konsultohet përpara se ajo të vendoset”, thekson Dhoma.

Kundër rritjes së barrës fiskale është pozicionuar edhe Pro Export Albania, që e vendos theksin te situata e sektorit prodhues dhe eksportues.

“Prej vitesh ky sektor përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës. Në vend të masave që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, po diskutojmë rritje të mëtejshme të barrës fiskale. Nuk jemi kundër reformave fiskale, por kundër vendimeve që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin”, deklaron Pro Export Albania.

Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore deri në zhvillimin e një konsultimi me biznesin, ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, TVSH-së standarde dhe pragut të TVSH-së, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin. Ajo kërkon gjithashtu publikimin e analizës së ndikimit që ndryshimet do të kenë mbi investimet, punësimin, çmimet, konsumin, informalitetin dhe konkurrueshmërinë.

Dhoma e tregtisë thekson se nuk është kundër reformës fiskale, por kërkon që Paketa Fiskale 2027 të rikthehet në dialog me biznesin përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare.

Po sot ka reaguar edhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, i cili paralajmëron se ndryshimet e propozuara në taksa do t’u kushtojnë bizneseve rreth 85 milionë euro më shumë në vit, duke u lënë më pak fonde për investime dhe duke shtuar presionin mbi çmimet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të mjaftonin që barra për bizneset të shtohej me rreth 85 milionë euro në vit.

Sipas tyre, rritja e tatimit mbi fitimin do të thotë se kompanive do t’u mbetet më pak fitim neto pas pagimit të taksave dhe, rrjedhimisht, më pak fonde të brendshme që mund të përdoren për investime apo modernizimin e prodhimit.

Ndërkohë, rritja e tatimit mbi dividendin prek të ardhurat që përfitojnë pronarët ose aksionerët kur vendosin të shpërndajnë fitimin e kompanisë. Për të njëjtën shumë dividendi të shpërndarë, pjesa që i mbetet pronarit pas tatimit do të jetë më e vogël.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëron gjithashtu se rritja e barrës fiskale mund të ushtrojë presion mbi çmimet, pasi bizneset mund të përballen me kosto më të larta.

Në një reagim për Top Channel edhe shoqatat e biznesit të vogël dhe të mesëm si edhe e biznesit të madh shprehen se taksa të tilla rëndojnë më tej biznesin, ndërsa lajmërojnë se do të nisin kundërshtimet.

Pavarësisht shqetësimeve të ndryshme që ngrenë për sektorët që përfaqësojnë, organizatat dhe shoqatat e biznesit në vend bashkohen në kërkesën që ndryshimet fiskale të mos miratohen pa konsultim me biznesin. Top Channel