Mijëra përdorues të Facebook dhe Instagram kanë raportuar probleme me aksesin në platformë mëngjesin e së dielës, pasi versioni desktop i rrjetit social ka shfaqur mesazhin: “Account Temporarily Unavailable. Your account is currently unavailable due to a site issue. We expect this to be resolved shortly. Please try again in a few minutes.”. Raportimet janë shtuar ndjeshëm në platformat që monitorojnë ndërprerjet e shërbimeve online dhe në forumet e përdoruesve.
Sipas raportimeve, problemi prek kryesisht versionin desktop të Facebook, ndërsa disa përdorues kanë bërë të ditur se aplikacioni celular ose Facebook Lite vijojnë të funksionojnë normalisht. Në të njëjtën kohë, faqja DownDetector ka regjistruar një rritje të menjëhershme të raportimeve për probleme me Facebook, ndërsa përdorues nga vende të ndryshme kanë konfirmuar se po hasin të njëjtin mesazh gabimi. Deri tani, kompania Meta nuk ka publikuar një njoftim zyrtar mbi shkakun e problemit apo kohën kur shërbimi do të rikthehet plotësisht. Ndërkohë, përdoruesve u rekomandohet të presin rikthimin e platformës, pasi mesazhi i shfaqur tregon se bëhet fjalë për një problem teknik të përkohshëm të sistemit.

