GOFUNDME Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë tonë për zonjën Vangjeli Kozho, një grua nga Durrësi, e cila prej vitesh përballet me kancerin ndërsa vështirësitë ekonomike e kanë bërë edhe më sfiduese betejën e saj.
Vangjeli Kozho e cila vuan nga kjo sëmundje e rëndë, prej disa vitesh vijon trajtimet në Spitalin Onkologjik në Tiranë. Për shkak të sëmundjes, ajo është detyruar të heqë gjoksin dhe vijon trajtimet me kimioterapi dhe rreze.
Gjendja e saj është rënduar edhe më tej nga kushtet e vështira ekonomike. Si pasojë e trajtimeve me rreze, ajo ka pësuar djegie të trupit, të cilat i kanë shkaktuar dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë dhimbje.
Por historia e vështirësive të Vangjelit nuk nis me sëmundjen.
Rreth 10 vite më parë, ajo humbi shtëpinë e saj, pasi prona iu mor nga ish-pronarët. Në atë kohë, bashkia i premtoi një banesë sociale, por procesi u shty për shkak të tërmetit të vitit 2019 dhe më pas pandemisë së COVID-19. Edhe sot, Vangjeli vijon të jetojë me qira, në kushte të vështira dhe në një banesë me lagështirë.
Pas vitesh të mbushura me vështirësi, stres dhe vuajtje, ajo u përball edhe me diagnozën e rëndë të kancerit.
Të ardhurat e familjes janë tepër të kufizuara. Vangjeli ka në dispozicion vetëm rreth 220 mijë lekë në muaj, pensionin e bashkëshortit, ndërsa shpenzimet për trajtimet, ilaçet dhe nevojat e përditshme janë të larta.
Çdo ditë, ajo duhet të përshkojë rrugën Durrës–Tiranë për të kryer trajtimet në Spitalin Onkologjik, duke përballuar edhe kostot e transportit. Në këto kushte, Vangjeli nuk ia del dot e vetme.
Ajo i drejtohet qytetarëve për ndihmë. Çdo kontribut, sado i vogël, do të jetë një mbështetje e madhe për të përballuar shpenzimet e ilaçeve, trajtimeve, transportit dhe nevojave bazë të jetesës.

