Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar disa nga premtimet e tij ekonomike, duke kritikuar Paketën Fiskale 2027 të qeverisë Rama. Gjatë fjalës së tij, Berisha u zotua se në qeverisjen e PD-së asnjë taksë në Shqipëri nuk do të jetë më e lartë se 12.5%. Ai theksoi se ky kufi do të zbatohet për të gjitha taksat, përfshirë TVSH-në dhe taksat mbi punën, si për punëdhënësit, ashtu edhe për punëmarrësit. Një tjetër premtim i tij lidhet me shportën e produkteve bazë, për të cilën deklaroi se qytetarëve do t’u kompensohet 100% e TVSH-së për çdo mall, përmes llogarive bankare ose formave të tjera të rimbursimit. Berisha u bëri thirrje bizneseve të reagojnë ndaj politikave fiskale të qeverisë, duke i ftuar të marrin pjesë në protesta. Ai e cilësoi sjelljen e qeverisë ndaj biznesit si të papërgjegjshme dhe premtoi një politikë të re fiskale në rast se Partia Demokratike vjen në pushtet. Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha Unë jam këtu për të garantuar shqiptarët se Partia Demokratike, në votëbesimin e tyre, në qeverisjen e saj, nuk do të ketë kurrë taksë mbi 12.5%. Në Republikën e Shqipërisë nuk do të ekzistojë asnjë taksë mbi 12.5%.
Më ulët po, por taksat më të larta, TVSH, taksa e punës për punëdhënësin, për punëmarrësin e të tjerë, do të jenë 12.5%.
Jo më shumë se 12.5%.
Kurse për shportën do të kompensohet 100% TVSH-ja e çdo malli të saj.
Do t’i disbursohet në llogaritë bankare të çdo qytetari ose do gjendet mënyra tjetër se si t’i dorëzohen atij.
Ne nuk do të ndërhyjmë në konkurrencën, por ne do të kompensojmë qytetarët për të gjitha, ndonëse jemi shprehur se TVSH-ja për ushqimet nuk do jetë kurrë kjo që është, por pavarësisht nga ajo, do të ketë rimbursim të plotë të TVSH-së për një sasi mallrash të përdorimit të përgjithshëm për qytetarët shqiptarë.
Për të gjithë të tjerët, nuk mund të ketë taksë mbi 12.5% në territorin e Shqipërisë.
Ndaj dhe ftoj bizneset të reagojnë.
I ka trajtuar si një sulltan mesjetar në mënyrë të pabesë, të papërgjegjshme. Është koha t’i japim përgjigje dhe bizneset kanë shumë në dorë.
Duhet të kalojnë në një rezistencë, në reagime, nuk mund të sillet kështu një qeveri.
Vetëm një qeveri organizatë kriminale i lejon vetes masa të tilla. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: paketa fiskale sali berisha taksat zotimi
