Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kjo është periudha kur partia do të intensifikojë përgatitjet për zgjedhjet lokale, përfshirë edhe përzgjedhjen e kandidatëve. Gjatë konferencës për media të së hënës, Berisha akuzoi mazhorancën se po përdor fondet publike në funksion të interesave elektorale, ndërsa tha se PD po përgatitet të prezantojë kandidatët e saj për zgjedhjet lokale. “Mazhoranca ka shpërndarë dhe po shpërndan 1 miliardë e gjysmë euro për hajdutët e saj lokalë në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral”, deklaroi Berisha. I pyetur nëse kandidatët e PD do të bëhen publikë para muajit shtator, Berisha u shpreh se kjo është periudha kur do të përqendrohen përpjekjet kryesore të partisë për fushatën. “PD po përgatitet të paraqesë para shqiptarëve kandidatët më të mirë që ata kanë pasur ndonjëherë”, tha ai. “Para shtatorit? Po shtatori është nesër. Sigurisht që kjo është periudha në të cilën veprimtaritë dhe përkushtimet kryesore janë për fushatën elektorale”, tha kreu i PD-së. Deklarata e Berishës vjen në një kohë kur partitë politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, ndërsa përcaktimi i kandidatëve pritet të jetë një nga proceset kryesore të muajve në vijim.
