Lajme Zone
“Berisha të ikë, t’i hapë rrugë brezit të ri”, Dritan Burgija: Po kërkon të përvetësojë protestën për të shpëtuar Ramën
PolitikëBalkanWeb

“Berisha të ikë, t’i hapë rrugë brezit të ri”, Dritan Burgija: Po kërkon të përvetësojë protestën për të shpëtuar Ramën

Dritan Burgija ka akuzuar Sali Berishën se po përpiqet të përvetësojë protestën e studentëve dhe qytetarëve, duke u shprehur se kjo lëvizje i shërben qëndrimit të Edi Ramës në pushtet.

Dritan Burgija ka akuzuar Sali Berishën se po përpiqet të përvetësojë protestën e studentëve dhe qytetarëve, duke u shprehur se kjo lëvizje i shërben qëndrimit të Edi Ramës në pushtet. Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se revolta ka lindur natyrshëm nga pakënaqësia ndaj klasës së vjetër politike dhe nuk i përket asnjë partie. Sipas Burgijas, thirrjet kundër Ramës dhe Berishës dëshmojnë se protestuesit kërkojnë një ndryshim që shkon përtej zëvendësimit të një drejtuesi me një tjetër. Ai i kërkon Berishës të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe t’i hapë rrugë një brezi të ri, duke e cilësuar lidershipin e tij të konsumuar. Burgija argumenton se përfshirja e Berishës rrezikon ta zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia e qeverisë drejt përplasjes së zakonshme mes dy rivalëve politikë. Ai thekson se protesta duhet të ruajë pavarësinë dhe të mbetet një instrument presioni qytetar për llogaridhënie dhe ndryshim. Postimi i Dritan Burgijas*: Berisha do të përvetësojë protestën për të shpëtuar Ramën

Studentët dhe qytetarët kanë muaj që dalin në rrugë kundër Ramës e Berishës, të lodhur nga qeverisja 30-vjeçare, nga një realitet politik që i zhgënjen dhe nga një klasë e vjetër politike që duket më e interesuar të mbrojë pushtetin dhe privilegjet e veta sesa të dëgjojë qytetarët.

Përpara se të niste protesta e Flamingove, zhvilluam disa takime me qytetarët, ku në qendër të diskutimeve ishte korrupsioni dhe PD-ja e mbajtur peng nga Berisha. Synimi ynë ishte që partia të ndryshonte lidershipin, drejtimin ta merrte rinia dhe të vendosej kultura e një gare të hapur dhe konkurruese. Por, nga frika, Berisha e shmangu sërish garën. Kjo ka ngjallur pakënaqësi te demokratët, pasi partia vazhdon të mbahet peng.

Në protestën e Flamingove shihje të rinj plot energji e dritë, që thërrisnin: “Berisha në burg, Rama në burg”. Mesazhi është i qartë. Po kështu, edhe studentët bëjnë të njëjtën thirrje.

A mund të qëndrojë ende në krye të PD-së një njeri që prej dekadash është pjesë e politikës dhe pushtetit, në një kohë kur rinia kërkon ndryshimin e klasës së vjetër politike? Një 81-vjeçar në krye të partisë vështirë se përfaqëson frymën, energjinë dhe vizionin e një proteste që kërkon ndryshim.

Pse e ka kaq të vështirë Berisha t’u hapë rrugë të rinjve, t’i japë energji të re partisë së tij dhe të krijojë kushtet për bashkimin e opozitës? Një hap i tillë mund të krijonte një frymë të re bashkimi dhe një opozitë më të fortë.

Pse këmbëngul të qëndrojë në krye, kur pas kaq shumë vitesh në politikë duket se ka ardhur koha për t’ua lënë radhën të tjerëve? Ka qenë kryeministër, president dhe ka ushtruar pushtet për vite me radhë. Çfarë tjetër kërkon të arrijë duke qëndruar në krye të PD-së edhe në këtë moshë?

A mos vallë kjo këmbëngulje lidhet edhe me interesa që shkojnë përtej politikës? Marrëdhëniet dhe qëndrimet e tij ndaj Ramës ngrenë pikëpyetje që meritojnë përgjigje të qarta.

Pse Berisha do ta përvetësojë protestën, kur studentët dalin e mbushin sheshin? A është e nevojshme thirrja e tij përballë këtij masiviteti të protestës së Flamingove dhe studentëve? S’besoj që thirrja e tij zë vend, kur kjo energji është e natyrshme, nga akumulimi i padrejtësisë ndër vite, ku fajtorë janë edhe Berisha, edhe Rama. Këtë e tregon thirrja për të dy: “Rama në burg, Berisha në burg”.

Thirrjet e Berishës për protesta, në fakt, ndikojnë negativisht. Ai e di shumë mirë këtë, ndaj bën shpesh thirrje për protesta të pedagogëve, edhe pse ata e mbushin sheshin pa pasur nevojë për thirrjen e tij.

Po të kishte energjinë e duhur politike dhe të gëzonte besimin e qytetarëve, Berisha nuk do të kishte qëndruar për muaj të tërë duke parë çdo ditë vetëm rreth 200 persona poshtë ballkonit të tij. Madje, as dalja e tij nga ballkoni nuk arriti ta kthente izolimin në një valë protestash masive. E njëjta gjë u pa edhe në Foltoret e së hënës, ku pjesëmarrja nuk i kalonte 200 vetat.

Berisha ndoshta nuk e kupton ose e injoron faktin se problemi nuk qëndron vetëm te qytetarët, por edhe brenda vetë grupit të tij parlamentar. Deputetët, larg kamerave, flasin për largimin e tij, sepse ndihen të mbajtur peng nga një lidership që, sipas tyre, nuk po arrin më të bëjë për vete qytetarët.

Në fund të fundit, nëse deputetët do ta gëzonin ende besimin e qytetarëve dhe do të kishin ndikim real tek ata, secili prej tyre do të duhej të ishte në gjendje të mblidhte të paktën 100 persona rreth vetes. Ky është minimumi i pritshëm. Me një llogaritje të thjeshtë, një grup prej 30–50 deputetësh do të mund të sillte 3 mijë deri në 5 mijë qytetarë në shesh çdo të hënë.

A e bën këtë analizë Berisha? A e kupton se është faji i tij, për shkak të konsumimit në parti e pushtet ndër vite?

Revolta që po shohim sot, kjo frymë proteste, ka lindur natyrshëm, sepse në Shqipëri mungon një opozitë e vërtetë. Protesta e opozitës u tkurr çdo të hënë, deri në rreth 200 persona. Prandaj ka ardhur koha që Berisha t’i hapë rrugë një brezi të ri në krye të PD-së. Vitet dhe konsumimi i gjatë në pushtet kanë bërë të vetën. Një protestë që kërkon ndryshim ka nevojë për frymë të re, energji të reja dhe figura të reja.

Por Rama është më i ri se Berisha. Atëherë, pse kërkojmë ndryshim? Nuk ia mohojmë Berishës arritjet e së shkuarës, si anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe ndërtimin e Rrugës së Kombit me një kosto shumë të ulët. Por këto arritje nuk i fshijnë përgjegjësitë për vitin 1997, Gërdecin dhe 21 Janarin, ngjarje që lidhen me përgjegjësitë politike të Berishës dhe Ramës bashkë.

Prandaj dolëm në disa rrethe të vendit dhe fryma që gjetëm ishte shumë e fortë. Qytetarët na mirëpritën, ndërsa shumë demokratë vinin në takime me energji pozitive dhe shpresë për ndryshim. Pikërisht kur do të nisnim turin në të gjithë Shqipërinë, shpërtheu një protestë edhe më e fortë: ajo e Flamingove, e cila përputhej me bindjen tonë se PD-ja kishte nevojë për ndryshim, për t’u përballur realisht me qeverinë Rama.

Por protesta e Flamingove shkoi përtej nesh. Ajo u bë masive dhe pa ngjyra partiake. Edhe studentët kërkojnë largimin e brezit të vjetër, që sipas tyre e mban peng vendin me bindjet e vjetruara dhe korrupsionin. Prandaj nuk duan as Berishën, as Ramën, por një ndryshim të vërtetë.

Berisha duhet ta kuptojë se rinia dhe fryma e saj nuk i përkasin më kohës së tij. Kur del rinia në protestë, dallimi në mendësi, moshë dhe vizion bëhet i dukshëm. Berisha është i konsumuar nga pushteti, ndërsa akuzat që rëndojnë mbi periudhën e qeverisjes së tij, si viti 1997, Gërdeci dhe 21 Janari, bien ndesh me frymën e një proteste rinore që kërkon ndryshim.

Prandaj, boll më! Është koha që edhe vetë PD-ja dhe deputetët e saj të zgjohen, përpara se të humbasin edhe më shumë terren nën peshën e një kryetari të konsumuar, i cili duket se mbron më shumë interesat e veta sesa nevojën për ndryshim. Edhe qëndrimet e tij publike ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si i trajton çështjet e ndryshme.

Për shembull, ai sulmon projektin te Taivani, që lidhet me një pronë private, për të cilën pronari ka të drejtë të kërkojë zhvillimin e saj sipas ligjit. Ndërkohë, për kullën e madhe që pritet të ndërtohet te Pallati i Kongreseve, heshtja e tij bie në sy. E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e Adelada Rrokës, për të cilën foli publikisht, përfshirë edhe për vëllezërit e saj, por më pas nuk u dëgjua më. Mediat kanë shkruar edhe për lejet e ndërtimit me Fatmir Bektashin në Tiranë e Pogradec. Këto qëndrime ngrenë pikëpyetje për arsyet e këtij selektiviteti.

Nëse Berisha beson se ka mbështetjen e demokratëve dhe të qytetarëve të pakënaqur, le ta dëshmojë atë me një mobilizim të pavarur, pa u përpjekur të përvetësojë një revoltë që ka lindur jashtë kontrollit të tij.

Kur ai futet t’i japë ngjyra të tjera protestës së studentëve, atëherë kjo e fundit do të shndërrohet në një përballje mes tij dhe Ramës, vëmendja do të largohet nga përgjegjësia e qeverisë dhe do të zhvendoset te konflikti i zakonshëm mes tyre.

Nëse ekzistojnë interesa të përbashkëta që shkojnë përtej përplasjes publike mes Ramës dhe Berishës, atëherë mos vallë kapja e protestës është një mënyrë për ta dobësuar dhe dëmtuar revoltën që rrezikon jo vetëm pushtetin e Ramës, por edhe interesa që nuk duan të preken nga një ndryshim i vërtetë?

Protesta mbështetet duke respektuar autonominë e saj dhe duke mos e kthyer në pronë të opozitës. Berisha duhet të pranojë më në fund se qytetarët mund të jenë kundër Ramës, pa qenë domosdoshmërisht me të.

Studentët nuk dolën në rrugë për të ndërruar një kryetar me një tjetër. Dolën sepse nuk duan që politika t’i përdorë më si dekor, si numra në shesh apo si kapital për pazaret e saj.

Protesta duhet të mbetet presion i pavarur qytetar për llogaridhënie dhe ndryshim. Sepse në çastin kur studentët dhe qytetarët humbasin kontrollin mbi revoltën e tyre, politika e vjetër mund të dalë sërish fituese.

*Ish-kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Berisha dritan burgija te ike