Lajme Zone
Berisha pajiset me vizë amerikane, nesër pritet të tërheqë pasaportën. Zbulohet delegacioni që do ta shoqërojë në SHBA
PolitikëTop Channel

Berisha pajiset me vizë amerikane, nesër pritet të tërheqë pasaportën. Zbulohet delegacioni që do ta shoqërojë në SHBA

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë me dije për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, se Berisha është njoftuar se ka marrë vizën amerikane për të udhëtuar drejt SHBA-së.

Të njëjtat burime konfirmojnë se kryedemokrati pritet të tërheqë pasaportën gjatë paradites së nesërme pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Sipas informacioneve, udhëtimi drejt SHBA-së pritet të zhvillohet javën e ardhshme dhe Berisha nuk do të jetë i vetëm. Me të pritet të udhëtojnë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.

Lajmi për pajisjen me vizë amerikane vjen vetëm pak orë pasi Berisha deklaroi se dokumentet e tij për udhëtimin drejt SHBA-së ndodheshin ende në Ambasadën Amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim lidhur me pasaportën.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga, nëse e kishte tërhequr pasaportën dhe nëse kishte planifikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Berisha tha se deri në atë moment nuk kishte planifikuar asnjë takim.

Sipas deklarimeve të tij, destinacioni i parashikuar i vizitës është Teksasi, ku kreu i PD-së synon të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar. Top Channel